Kompania që menaxhon një pjesë të rëndësishme të industrisë së kromit në Shqipëri ka mbyllur vitin 2025 me një humbje të fortë financiare, duke ngritur pikëpyetje mbi ecurinë ekonomike të aktivitetit në një prej sektorëve më të rëndësishëm minerarë të vendit.
Sipas pasqyrave financiare të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Albchrome ka deklaruar për vitin 2025 një humbje prej 1.436 miliardë lekësh, ose rreth 15 milionë euro.
Humbja është shumë më e lartë krahasuar me vitin 2024, kur kompania kishte raportuar një rezultat negativ prej rreth 720 mijë eurosh.
Në dokumentacionin financiar thuhet se humbja e vitit 2025 do të mbulohet nga fitimet e akumuluara të shoqërisë.
Albchrome e lidh përkeqësimin e performancës me paqëndrueshmërinë e tregut, çmimet e energjisë elektrike dhe kërkesën për produktin final. Kompania thotë se gjatë vitit 2025 nuk ka operuar me kapacitet të plotë prodhues, pas vendimeve të bordit për të përshtatur aktivitetin me kushtet e tregut.
Por bilanci tregon gjithashtu presion nga detyrimet financiare.
Më 31 dhjetor 2025, kompania nuk kishte përmbushur disa prej kushteve financiare të përcaktuara në marrëveshjet e huasë. Për këtë arsye, pjesa e mbetur e huasë është klasifikuar si detyrim afatshkurtër.
Sipas pasqyrave financiare, institucioni huadhënës nuk kishte kërkuar deri në momentin e miratimit të bilancit shlyerjen e menjëhershme të kredisë, ndërsa kompania vijonte negociatat për menaxhimin e detyrimeve.
Rezultatet financiare bien në sy edhe për shkak të potencialit të minierës së Bulqizës. Vetë kompania deklaron se masivi i Bulqizës përmban rezervat më të mëdha të kromit me cilësi të lartë në Shqipëri.
Ndërtimi i pusit të ri nr. 9 ka mundësuar zgjerimin e shfrytëzimit nga niveli 17 deri në nivelin 21 dhe, sipas kompanisë, ka zgjatur jetën e minierës me të paktën 15 deri në 17 vjet.
Albchrome operon mbi bazën e dy kontratave koncesionare. Njëra, e lidhur fillimisht në vitin 2000, përfshin fabrikën e ferrokromit në Elbasan dhe miniera kromi në Përrenjas dhe Pojskë.
Koncesioni tjetër, i vitit 2001, përfshin minierën e Bulqizës, impiante të përpunimit të mineralit dhe fabrikën e ferrokromit në Burrel.
Në vitin 2016, afatet e të dy koncesioneve u zgjatën deri më 31 dhjetor 2040.
Humbja prej 1.4 miliardë lekësh në një vit, detyrimet ndaj bankave dhe fakti që aktiviteti zhvillohet mbi disa prej rezervave më të rëndësishme minerare të vendit e bëjnë bilancin e Albchrome një tregues që kërkon analizë më të thelluar mbi kostot, prodhimin, shitjet dhe rentabilitetin e shfrytëzimit të kromit shqiptar.



