IMG_2757

Kostas Koukounmakas – Kathimerini

Një thriller gjyqësor-politik po zhvillohet gjatë javëve të fundit në territorin grek. Personazhi qendror është një biznesmen shqiptar 53-vjeçar në sektorin e ndërtimit dhe energjisë, i cili u arrestua në Selanik në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar. Në dokumentet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë ai përshkruhet si anëtar i një rrjeti personash që dyshohet se pastronte fitimet e trafikantëve të drogës në vendin fqinj. Në të njëjtin rreth personash, autoritetet shqiptare përfshijnë një biznesmen që ndodhet prej vitesh në një konflikt gjyqësor me minoritarë grekë në Zvërnec për pronësinë e një sipërfaqeje toke, në të cilën planifikon të investojë Jared Kushner.

Nga ana e tij, 53-vjeçari që mbahet në Selanik pretendon se ndodhet në shënjestër të kryeministrit shqiptar Edi Rama, pasi është kundërshtar i tij politik.

“Udhëheqësit politikë në vendin tim [shënim: kur realizon një projekt të madh] kërkojnë që ortak të futet ndonjë person i afërm i tyre”, tha ai para Këshillit të Apelit, i cili shqyrtoi kërkesën shqiptare për ekstradimin e tij në fund të korrikut.

Ai u arrestua në mesditën e 12 qershorit në një hotel në pjesën lindore të Selanikut. Kishte hyrë në Greqi në orët e para të së njëjtës ditë dhe, përmes zyrave të Interpolit, autoriteteve greke iu përcoll një “Njoftim i Kuq”, sipas të cilit kërkohej për pjesëmarrje në “organizatë kriminale” dhe “pastrim të të ardhurave nga veprimtari të paligjshme”.

Në dokumentet gjyqësore të shqyrtuara nga “Kathimerini” thuhet se pikënisja e hetimit ishin dy shqiptarë, të cilët dyshohet se organizuan transportimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt porteve të Belgjikës, Spanjës dhe Holandës.

Shqiptarët kanë zhvilluar prej vitesh lidhje me kartelet latino-amerikane, të cilat në disa raste janë shndërruar edhe në marrëdhënie familjare. Rrjetit në fjalë i atribuohet një ngarkesë prej 441 kilogramësh kokainë, e sekuestruar në Barcelonë.

Ndërkohë, shërbimet europiane të sigurisë arritën të siguronin akses në platformën e koduar Sky ECC, përmes së cilës komunikonin anëtarë të organizatave kriminale ndërkombëtare. Europol arriti të depërtonte në aplikacion dhe u përcolli autoriteteve ligjzbatuese të secilit vend të dhëna dhe biseda të personave të dyshuar.

Dy shqiptarët që komunikonin me kartelin, siç theksohet në dokumentet hetimore, dyshohet se pastronin fitime prej miliona eurosh, dollarësh dhe pesos gjatë periudhës 2018-2023, përmes kompanive që tregtonin mish, fruta dhe qymyr, si edhe përmes një kompanie në Shqipëri që gjatë viteve të fundit ka ndërtuar hotele të mëdha dhe ndërtesa zyrash në qendër të Tiranës.

Si ortakë të kompanisë së ndërtimit figurojnë 53-vjeçari që mbahet në Selanik dhe një person i afërt familjarisht me atë që konsiderohet si drejtuesi i rrjetit.

53-vjeçari i mohon akuzat.

“Nuk ka prova konkrete”, thekson ai, duke pretenduar se ndjekja penale është një pretekst dhe se ka motive politike, me qëllim shkatërrimin e tij personal dhe të biznesit.

Gjatë dëshmisë së tij para Këshillit të Apelit të Selanikut, ai tha se nuk fshihej dhe se kishte ardhur në Greqi për një festë.

“Më telefonuan nga Shqipëria, nga Byroja Kombëtare e Hetimit, dhe më pyetën se ku ndodhesha saktësisht. I pyeta nëse donin të kthehesha. Më thanë se do të pyesnin prokurorin dhe të nesërmen më arrestuan në Greqi”, dëshmoi ai.

Që prej vitit 1994, i kërkuari drejton biznese në Shqipëri në sektorët e energjisë dhe ndërtimit dhe, siç theksoi vetë, paguan taksa shumë të larta.

Në të njëjtën kohë, mediat shqiptare shkruajnë se ai konsiderohet mik i ngushtë i Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit dhe kundërshtarit të kryeministrit shqiptar Edi Rama.

“Kam shumë frikë […] kam frikë se akuza kundër meje në Shqipëri do të ndryshojë. Nuk kam 100% besim te gjykatat shqiptare”, tha ai.

“Mediat sociale shkruajnë se u kam shërbyer personazheve politike në Shqipëri. Kur marr përsipër një projekt, shkruajnë se po i shërbej një personazhi politik të opozitës.”

Megjithatë, Këshilli i Apelit i Selanikut dha dritën jeshile për ekstradimin e biznesmenit 53-vjeçar drejt Shqipërisë.

Ai e ankimoi vendimin dhe kërkesa shqiptare për ekstradim pritet të shqyrtohet në periudhën e ardhshme nga seksioni penal kompetent i Areopagut, Gjykatës së Lartë të Greqisë.