Kryeministri Edi Rama po përgatitet për ndryshime të reja në qeveri dhe administratën shtetërore, ndërsa në disa prej ministrive kryesore kanë nisur të qarkullojnë sinjale për një valë dorëheqjesh në nivelet drejtuese.
Pakënaqësia e Ramës me performancën e ministrave dhe administratës është shfaqur edhe në dy mbledhjet e fundit të Asamblesë së Partisë Socialiste, ku kryeministri ka dhënë sinjale se pret një ritëm dhe përgjegjshmëri më të lartë nga drejtuesit politikë dhe administrativë.
Por përtej performancës, në situatën e fundit duket se ka ndikuar edhe një element politik. Sipas informacioneve që qarkullojnë, Rama nuk e ka pritur mirë që një pjesë e administratës është treguar tolerante ose i është bashkuar në ditët e para të asaj që është cilësuar si “protesta e flamujve”.
Në këtë klimë, Kryeministria mësohet se u ka kërkuar Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Mbrojtjes të përgatiten për një valë dorëheqjesh të drejtuesve të rëndësishëm të administratës.
Në korridoret e këtyre institucioneve prej ditësh flitet për ndryshime që mund të prekin një numër drejtorësh. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse lëvizjet do të kufizohen vetëm në administratë apo do të shtrihen edhe në nivelin politik të kabinetit qeveritar.
Pikërisht mundësia e ndryshimeve mes ministrave ka shtuar pasigurinë brenda mazhorancës. Emra të ndryshëm po qarkullojnë si kandidatë për largim apo për poste të reja, por deri tani nuk ka një listë të konfirmuar dhe çdo skenar mbetet në nivel spekulimi.
Ndërkohë, Rama ndodhet me pushime në Dhërmi, por kjo nuk duket se ka ulur presionin ndaj vartësve të tij. Disa ministra kanë shtuar dukshëm aktivitetin publik gjatë ditëve të fundit, me takime, inspektime dhe postime të shpeshta në rrjetet sociale për të evidentuar punën e tyre gjatë muajit gusht.
Megjithatë, eksperienca e mëparshme ka treguar se ndryshimet në kabinet mbahen zakonisht të rezervuara nga kryeministri deri në momentin e fundit.
Rama ka zgjedhur shpesh mbledhjet e Asamblesë së Partisë Socialiste për të njoftuar publikisht ndryshimet në qeveri, duke bërë të ditur gjatë transmetimit të mbledhjes se cilët ministra largohen dhe cilët marrin poste të reja.
Për këtë arsye, deri në një njoftim zyrtar, mbetet e paqartë se sa e gjerë do të jetë vala e ndryshimeve. Por sinjalet që vijnë nga administrata tregojnë se të paktën në nivelet drejtuese pritet një riorganizim i rëndësishëm pas përfundimit të periudhës së pushimeve verore. /gazetajone



