-1000-0-70c90137-2e89-4d2f-9712-839e68997347-6a8b2b3d131a5

Takimi politik i zhvilluar këtë të diel në Pogradec nga Partia Socialiste ka zgjatur për më shumë se tetë orë, duke u kthyer në një analizë të gjatë të situatës në terren dhe funksionimit të strukturave socialiste në qarqe.

Mbledhja nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe vijoi deri afër orës 18:30. Gjatë pjesës më të madhe të takimit fjalën e patën drejtuesit e komisioneve dhe të qarqeve, mes tyre edhe Belinda Balluku, të cilët paraqitën vlerësimet e tyre për organizimin politik, problematikat lokale dhe mënyrën se si e kanë zbatuar në terren konceptin e “Besës” politike.

Ndryshe nga takimet e zakonshme ku kryeministri Edi Rama mban pjesën kryesore të fjalës, këtë herë ai zgjodhi të qëndrojë kryesisht në rolin e dëgjuesit. Për më shumë se tetë orë, Rama nuk ndërhyri në diskutime, duke lënë secilin prej drejtuesve të paraqiste analizën dhe propozimet e veta.

Vetëm në rreth gjysmëorën e fundit të mbledhjes, kryeministri mori fjalën për të përmbledhur diskutimet dhe mesazhet kryesore të takimit.

Mbledhja e Pogradecit shihet si një fazë përgatitore për Asamblenë e Partisë Socialiste të parashikuar më 5 shtator, ku priten vendime dhe ndërhyrje të reja në strukturat e partisë dhe në qeveri.

Takimi vjen në një moment kur brenda mazhorancës janë shtuar pritshmëritë për ndryshime në administratë dhe në kabinetin qeveritar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse analiza e zhvilluar në Pogradec do të përkthehet në lëvizje konkrete në fillim të shtatorit.