olti pecini

Paratë e gjeneruara nga koncesioni i skanimit në dogana nuk përfundojnë vetëm në bilancin e kompanisë koncesionare. Dokumentet financiare tregojnë një qarkullim të fortë të të ardhurave mes S2 Albania dhe ICMS, dy kompani të lidhura me biznesmenin Olti Peçini, të cilat vetëm gjatë tre viteve të fundit kanë deklaruar së bashku mbi 10 milionë euro fitime.

Peçini zotëron 49% të aksioneve të S2 Albania, kompanisë që administron koncesionin, ndërsa është pronar i 100% të ICMS. Pikërisht marrëdhënia mes këtyre dy shoqërive ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si shpërndahen paratë e krijuara nga kontrata koncesionare dhe sa prej tyre përfundojnë nga koncesionari te kompania e lidhur.

Sipas pasqyrave financiare të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, S2 Albania realizoi në vitin 2025 një fitim prej rreth 251 milionë lekësh, nga 103 milionë lekë në vitin 2024, ose një rritje me rreth 143%. Në vitin 2023 fitimi ishte 152 milionë lekë.

Në vetëm tre vite, kompania koncesionare ka grumbulluar kështu rreth 506 milionë lekë fitim, ose afërsisht 5.5 milionë euro.

Por një tjetër pjesë e konsiderueshme e parave shfaqet te ICMS. Kompania në pronësi të plotë të Peçinit deklaroi rreth 148 milionë lekë fitim në 2025, 149 milionë në 2024 dhe 135 milionë lekë në 2023.

Në total, ICMS ka realizuar rreth 432 milionë lekë fitim në tre vite, afërsisht 4.7 milionë euro. Së bashku, dy kompanitë arrijnë në mbi 938 milionë lekë fitime, ose më shumë se 10 milionë euro.

Elementi që e bën strukturën financiare veçanërisht interesante është fakti se aktiviteti i ICMS rezulton i lidhur ngushtë me vetë kompaninë koncesionare. Në këtë mënyrë, një pjesë e parave të gjeneruara nga koncesioni kalon përmes një kompanie ku Peçini është aksioner dhe më pas drejt një kompanie tjetër që ai e kontrollon plotësisht.

Kjo skemë e shpërndarjes së të ardhurave nuk provon në vetvete një shkelje ligjore, por kërkon transparencë mbi kontratat mes dy kompanive, shërbimet që ICMS i faturon S2 Albania, çmimet e tyre dhe destinacionin e mëtejshëm të fitimeve. Pikërisht këto transaksione janë vendimtare për të kuptuar se si ndahet në fund paraja që buron nga koncesioni.

Marrëveshja e skanimit u firmos fillimisht në vitin 2011 gjatë qeverisë Berisha dhe më pas u rinegociua nga qeveria Rama. Operimi në pikat doganore nisi në shtator 2015, duke e çuar përfundimin e kontratës në shtator të vitit 2030.

Për vite me radhë koncesioni është shoqëruar me debate mbi kostot për shtetin dhe efektivitetin e tij. Bilancet e fundit shtojnë tashmë një tjetër pikëpyetje: si shpërndahen miliona eurot e fitimit mes kompanive të lidhura dhe ku përfundojnë paratë pasi largohen nga kompania koncesionare?