veliaj burg

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka miratuar sot vendimet e para nga IEVP Durrës, ku ndodhet në paraburgim prej 19 muajsh.

Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, Veliaj ka pranuar dorëheqjet e zëvendëskryetares Anuela Ristani, Sekretarit të Përgjithshëm Eldi Hoxha dhe shefes së Kabinetit, Blerina Beshku.

Kryebashkiaku ka firmosur gjithashtu të gjitha listëpagesat brenda një ore nga momenti kur ato i kanë mbërritur në IEVP Durrës.

Po nga paraburgimi, Veliaj ka miratuar shtesë fondesh për çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit, me qëllim vijimin e financimit dhe funksionimit të këtyre institucioneve.

Vendimmarrja ka vijuar edhe për transportin publik. Bashkia e Tiranës njofton se Veliaj ka miratuar fondet për vijimin e aboneve falas për pensionistët e kryeqytetit.

Por përtej vendimeve të firmosura, situata prodhon edhe një paradoks jo të vogël. Teksa tre prej zyrtarëve të rëndësishëm të administratës largohen, Veliaj nuk ka zgjedhur t’ia delegojë kompetencat një tjetër drejtuesi, por t’i ushtrojë vetë ato nga paraburgimi.

Me sa duket, 19 muaj larg zyrës nuk kanë mjaftuar që kryebashkiaku t’ia besojë plotësisht timonin stafit që vetë ka ngritur rreth vetes. Për momentin, rruga e vendimmarrjes në Bashkinë e Tiranës kalon edhe nga IEVP Durrës.