Nexhmedin Danaj, pronari i kompanisë “Vlora Cable”, është arrestuar në Dubai, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrim parash.
Danaj dyshohet se ka luajtur rol në lëvizjen dhe pastrimin e parave që, sipas hetimeve, rridhnin nga trafiku i kokainës. Një pjesë e këtyre parave dyshohet se është transferuar drejt Dubait përmes kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Emri i tij doli në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura”, të zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane kundër grupeve të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Në kuadër të operacionit, kompania “Vlora Cable”, në pronësi të Danajt, si dhe biznesi “Dubai Inn”, u vendosën nën sekuestro.
Sipas SPAK, hetimet e zhvilluara gjatë viteve 2020–2025 kanë dokumentuar 40 episode të trafikut të narkotikëve, mes tyre raste të trafikimit të kokainës dhe heroinës.
Operacioni çoi në dhënien e 52 masave të sigurisë në Shqipëri dhe Itali, ndërsa autoritetet sekuestruan pasuri, kompani, automjete dhe shuma parash që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.
Pas arrestimit në Dubai, pritet të ndiqen procedurat për ekstradimin e Nexhmedin Danajt dhe vënien e tij në dispozicion të drejtësisë shqiptare.



