radhime-1536x1152

Policia e Vlorës është ende duke punuar, për të sqaruar se një konflikt i ndodhur në kompleksin “Regina Resort” në Radhimë është një “gjobvënie kriminale” ndaj pronarit të tij, Vasil Bedinaj, apo është një marrëveshje biznesi e shkuar keq mes tij dhe një tjetër biznesmeni të njohur, Luan Muçaj.

Drejtoria e Policisë së qytetit bregdetar, në një njoftim paraprak për ngjarjen e ndodhur mesditën e kësaj të Enjte (3 shtator 2026), paraqiti elementë nga konflikti, por pa u nxituar të japë shkakun e përplasjes, ku besohet se janë përfshirë më shumë se 10 persona.

Sipas policisë, “rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli. Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë”.

Në foto: Sipërmarrësi Vasil Bedini

Burime mediatike, në shumicën e tyre, raportojnë se biznesmeni Vasil Bedini ka deklaruar në Polici se “rreth 10 persona të armatosur kanë shkuar në ambjentet e resortit në Radhimë dhe kërcënuar që të paguajë 5 milionë euro gjobë ose në të kundërt të largohet nga Shqipëria”.

Gjithashtu, burime mediatike citojnë Bedinin të ketë identifikuar si personat kryesorë të asaj që ai e konsideron “gjobvënie 5 milionë euro”, sipërmarrësin me seli në Tiranë, Luan Muça, si edhe drejtuesin shoqërisë së sigurimit privat, “Swat Security”, Mandrid Lleshaj.

Ndërkohë, një variant tjetër i ngjarjes, i ndryshëm nga ajo e “gjobvënies së pretenduar” është një ndër pistat që po hetohet këto orë nga Policia dhe Prokuroria e Vlorës.

Të dhënat e siguruara nga “Boldnews.al” tregojnë se biznesmenët Vasil Bedini dhe Luan Muça kanë pasur mosmarrëveshje të shtyra në kohë për një pronë në zonën e Palasës. Të dyja palët duket se kanë pasur pretendime mbi pronën në bregdetin e Dhërmiut dhe mes tyre ka pasur disa takime për të zgjidhur situatën.

Në foto: Sipërmarrësi Luan Muça

Burimet e redaksisë thonë se mes Bedinit dhe Muçës paraditen e së Enjtes ishte caktuar edhe bashkëbisedimi final. Raportet mes dy sipërmarrësve nuk kanë qenë më të mirat e mundshme. Për këtë arsye, Luan Muça është paraqitur në ambjentet e “Regina Resort” në Radhimë, i shoqëruar nga punonjës të “Swat Security”, një kompani sigurimi fizik që është angazhuar në mbrojtjen personale dhe të bizneseve të tij në Tiranë e më gjerë.

Takimi është shoqëruar me nota nervozizmi, ndërkohë që edhe Vasil Bedini ishte i shoqëruar me njerëz të tij. Në një moment, tonet e larta janë vijuar me prekje fizike e më tej me përleshjes mes palëve.

Ndërkohë që, deri më tani, askush nuk ka përmendur përdorimin e armëve të zjarrit, Policia dhe Prokuroria e Vlorës po kqyrin pamjet e sigurisë dhe po krehin vendin e ngjarjes për të zbuluar gëzhoja të mundshme.

Shkak, prona në Palasë?

Boldnews.al” kreu verifikime në regjistrin e lejeve të lëshuara për zonën e Palasës nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) për llogari të “Regina Group Construction”, në pronësi të Vasil Bedinit.

Të dhënat e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), të azhornuara deri në Prill 2026, nuk japin asnjë vendim të miratuar për kompaninë e Bedinit në zonën e Palasës.

Megjithatë, informacioni në faqen zyrtare të AZHT-së është i pjesshëm, pasi redaksia ka mësuar se Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga Edi Rama, është mbledhur edhe të paktën tre herë të tjera në periudhën maj-gusht 2026.

Ndërkohë, në profilin zyrtar të kompanisë “Regina Group Construction” në rrjetin social “Facebook”, vetëm pak ditë më parë është publikuar reklama e një kompleksi të ri që pritet të zhvillohet prej subjektit ndërtues, në zonën e Palasës.

Në foto: “Regina Ionian” është një ndër projektet e kompanisë “Regina Construction” të Vasil Bedinit

Gjithashtu, një faqe zyrtare në internet e projektit thotë se “…Regina Ionian sjell një kompleks rezidencial ekskluziv me vila dhe apartamente, ku natyra e paprekur e Palasës bashkohet në mënyrë të përkryer me arkitekturën moderne dhe komoditetin e një jetese elitarë. Vetëm 44.5 km nga Vlora, me akses të shpejtë dhe të lehtë. E rrethuar nga panorama mahnitëse e detit Jon dhe maleve që e bëjnë Palasën një destinacion unik”.

Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, autoritetet hetimore nuk kanë dhënë një variant përfundimtar mbi shkakun e konfliktit dhe nëse bëhet fjalë për pronën në Palasë, ku gjendet projekti i “Regina Ionian”.