Një konflikt mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça ka vënë në lëvizje mesditën e sotme Policinë e Vlorës, pas një sinjalizimi për persona të armatosur në zonën e Orikumit.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, pas marrjes së informacionit shërbimet ngritën pika kontrolli dhe u vunë në ndjekje të një automjeti që po lëvizte me shpejtësi.
Makina u aksidentua pranë Pusit të Mezinit. Brenda saj ndodheshin tre persona, dy prej të cilëve mbetën të dëmtuar nga aksidenti, ndërsa gjatë kontrollit policia gjeti edhe një armë zjarri pistoletë.
Burime të tjera e lidhin ngjarjen me një konflikt pronësie në Palasë, ku Luan Muça po zhvillon një projekt turistik. Sipas këtij versioni, Bedinaj dhe persona të tjerë pretendojnë pjesë në pronën ku po zhvillohet investimi, pretendim që kundërshtohet nga Muça.
Takimi i sotëm në Orikum dyshohet se ishte organizuar pikërisht për të diskutuar këtë çështje, por situata ka përfunduar në përplasje fizike dhe më pas në një incident ku tashmë po hetohet edhe prania e armës së zjarrit.
Një tjetër version i bërë publik lidhet me pretendimin e Bedinajt se ndaj tij është kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh. Deri tani ky element mbetet vetëm një pretendim dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga organet e hetimit.
Vasil Bedinaj është një emër i njohur në sektorin e turizmit në Vlorë dhe lidhet me rrjetin “Regina”. Në vitin 2016 ai ka qenë shënjestër e një atentati të dështuar me eksploziv në Tiranë, ndërsa në vitin 2024 u përfshi në një tjetër episod publik pasi u filmua duke goditur një qytetar në Vlorë.
Luan Muça njihet ndërkohë si biznesmen në sektorin e ndërtimit dhe industrisë dhe lidhet me “Delta Group” dhe “Deutsch Color”.
Ajo që mbetet ende e paqartë është natyra e vërtetë e konfliktit. Hetimi duhet të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një përplasje për pronën, për pretendime financiare apo për interesa të tjera mes palëve.
Policia e Vlorës deri tani ka dhënë vetëm një informacion të kufizuar për ngjarjen, pa bërë publikë emrat e personave të përfshirë, pa sqaruar se kush ndodhej në automjetin ku u gjet pistoleta dhe pa dhënë detaje mbi konfliktin që parapriu ndjekjen.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë.



