kulla

Një tjetër kullë shumëkatëshe pritet të ndërtohet në një zonë të Tiranës ku aktualisht dominojnë banesat e ulëta. KKTU ka zbardhur lejen për projektin “Dajti Park” në rrugën “Niko Avrami”, me lartësi nga 5 deri në 21 kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë.

Subjekti ndërtues është shoqëria “Dajti Park 2007”, me pronarë Lulzim Qefalia dhe Desart Kalaja. Lulzim Qefalia, ish-administrator i Njësisë Administrative Dajt, është vëllai i Xhemal Qefalisë, ish-deputet dhe aktualisht zëvendësministër i Brendshëm.

Leja ngre pikëpyetje për shkak të lidhjeve të familjes Qefalia me mazhorancën, por edhe të rolit të Xhemal Qefalisë në projektin “Smart City”, me vlerë rreth 140 milionë euro.

Sipas dokumenteve shoqëruese, ndërtesa do të ngrihet mbi një pronë me sipërfaqe 2,705 metra katrorë, në një lagje ku objektet ekzistuese janë kryesisht banesa dhe njësi shërbimi me lartësi nga një deri në pesë kate.

Në rrugët dytësore që lidhen drejtpërdrejt me pronën dominojnë shtëpi individuale një deri në tre kate, godina të vogla dhe rrugë të ngushta. Megjithatë, dokumentacioni i projektit i cilëson një pjesë të ndërtesave si të amortizuara dhe pa vlera të veçanta për t’u ruajtur.

Projekti parashikon dy volume të larta, të ndara nga një hapësirë qendrore në formën e shkronjës “U”, me tarraca të shkallëzuara, fasadë ngjyrë rozë, dritare harkore dhe gjelbërim dekorativ deri në katet e sipërme.

Ndërtimi i kullës 21-katëshe pritet të ndryshojë ndjeshëm profilin urban të zonës, ndërsa mbetet e paqartë se si do të përballojnë rrugët dhe infrastruktura ekzistuese shtimin e banorëve, automjeteve dhe shërbimeve. /gazetajone