-640-0-inshot-20260830-180805019-1788534315

Autoritetet e Kosovës kanë përfshirë Jozefin Markun, ish-banorin e Big Brother Vip Albania, në listën e personave që duhet të ndalohen në kufi, pas incidentit të dhunshëm me shtetasin kosovar Edi Kuçi, ish-konkurrent i Përputhen.

Vendimi vjen pas hapjes së një rasti penal lidhur me përleshjen fizike, pamjet e plota të së cilës janë publikuar së fundmi në rrjetet sociale.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. Sipas tij, prokurori ka hapur, me vetiniciativë, një rast penal ndaj Jozefin Markut, shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Rasti është hapur për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, që dyshohet se i është shkaktuar shtetasit të Republikës së Kosovës, E.K., iniciale që i referohen Edi Kuçit.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës E.K.”, ka deklaruar Nikçi.

Ai ka bërë të ditur se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, përfshirjen e të dyshuarit në listën kufitare për kontroll të veçantë, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera ligjore.

“Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit dhe vendosjen në stop-listë të të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij”, ka deklaruar Nikçi.

Sipas Prokurorisë, veprimet janë ndërmarrë në bazë të nenit 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili, sipas autoriteteve, zbatohet edhe ndaj shtetasve të huaj për vepra penale të kryera jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të saj.