Volkswagen planifikon të shkurtojë rreth 50 mijë vende të tjera pune në vitet e ardhshme, si pjesë e një pakete të gjerë masash për uljen e kostove dhe rritjen e konkurrueshmërisë, sipas “Reuters”.
Shkurtimet e reja do t’i shtohen planit të mëparshëm për reduktimin e 50 mijë vendeve të punës deri në vitin 2030, duke e çuar potencialisht në rreth 100 mijë numrin total të vendeve të punës që mund të eliminohen.
Megjithatë, Volkswagen ende nuk ka përcaktuar saktësisht sa vende do të shkurtohen, ku dhe në çfarë periudhe.
Kompania po përballet me rritjen e kostove, konkurrencën e fortë nga prodhuesit kinezë, veçanërisht në Kinë, si dhe presionin mbi fabrikat gjermane.
Grupi gjerman synon të ulë kostot dhe kapacitetet e tepërta të prodhimit, ndërsa ka vendosur që marka Seat të dalë gradualisht nga tregu dhe të mbyllet deri në vitin 2029.
Në vend të saj, Volkswagen do të përqendrohet më shumë te marka Cupra, e cila tashmë ka tejkaluar Seat në shitje.
Në gjysmën e parë të vitit 2026, Cupra ka shitur rreth 170.100 automjete, kundrejt 129.600 të Seat.
Ndërkohë, Volkswagen synon të reduktojë prodhimin në Europë me rreth 500 mijë automjete.
Në fokus janë edhe katër fabrikat gjermane në Emden, Zuickau, Hannover dhe Neckarsulm, të cilat mund të mbyllen mes viteve 2031 dhe 2034 nëse deri në vitin 2027 nuk arrihen kursime të konsiderueshme.
Kompania pret të shesë rreth 9 milionë automjete në vitin 2030, nga 11 milionë në vitin 2019. Marrëveshja u arrit pas negociatave intensive mes Volksvagen, sindikatës IG Metall dhe landit të Saksonisë së Poshtme, duke shmangur për momentin një përplasje të madhe mes aksionarëve dhe drejtuesve të kompanisë.



