-800-0-158c97dd503438b56fc32ddcc751597b

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka njoftuar nisjen e një aksioni të ri për trajtimin e banesave pa dokumentacion pronësie. Por harta e operacionit nuk është hapur në një zonë të rastësishme: verifikimi “derë më derë” nis pikërisht në Palasë, një nga territoret më të shtrenjta dhe më të përfolura të bregdetit shqiptar.

Për një javë, ekipet e Kadastrës do të matin banesat, do të kontrollojnë dokumentacionin dhe do të shqyrtojnë çdo rast, pavarësisht nëse qytetarët kanë aplikuar më parë apo jo. Dosjet që plotësojnë kriteret ligjore do të pajisen me vendim, i cili do t’u dërgohet pronarëve përmes e-Albania.

Në pamje të parë, nisma paraqitet si zgjidhje për banorët që prej vitesh presin të regjistrojnë pronat. Por zgjedhja e Palasës si pika e parë e aksionit ngre një pyetje të pashmangshme: pse pikërisht tani dhe pse në këtë zonë?

Palasa nuk vuan vetëm nga banesat pa dokumente. Problemi më i madh lidhet me dokumentet e prodhuara ndër vite, regjistrimet e dyshimta, mbivendosjet, AMTP-të e konfliktuara, lejet e zhvillimit dhe përplasjet mes banorëve e investitorëve për prona që sot vlejnë miliona euro.

Pikërisht për këtë arsye, verifikimi nuk mund të kufizohet te matja e mureve dhe plotësimi i formularëve. Kadastra duhet të tregojë nëse do të hapë edhe dosjet e përpunuara më parë dhe nëse do të rishikojë “bëmat” e Dyshes?

A do të kontrollohen titujt e dhënë, ndryshimet në hartat kadastrale, mbivendosjet dhe kalimet e pronësisë? A do të bëhet publike se kush ka firmosur mbi këto dosje dhe mbi çfarë dokumentacioni janë marrë vendimet? Apo aksioni do të merret vetëm me banesat e banorëve, duke lënë të paprekura pronat e mëdha dhe interesat ndërtimore?

Kadastra premton se pas përfundimit të procesit do të publikojë statusin e çdo banese: rastet e miratuara, dosjet që kanë nevojë për dokumente shtesë dhe pronat ku ekipet nuk kanë mundur të hyjnë. Por transparenca reale kërkon edhe publikimin e bazës ligjore të vendimeve dhe mënyrës se si do të trajtohen konfliktet pronësore.

Banorët e Palasës nuk kanë nevojë vetëm për ekipe që trokasin në dyert e tyre. Ata presin që shteti të hapë dosjet ku është prodhuar kaosi dhe të përcaktojë përgjegjësitë për regjistrimet e bëra ndër vite.

Sepse, nëse Kadastra e nis aksionin nga Palasa, nuk mund të kontrollojë vetëm pronat e paregjistruara. Duhet të verifikojë edhe se si janë regjistruar pronat e tjera dhe çfarë ka bërë vetë institucioni në një nga zonat më të lakmuara të Jugut./gazetajone