Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump kanë zhvilluar një bisedë telefonike që zgjati rreth një orë, bëri të ditur këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov.
Sipas Ushakov, dy liderët diskutuan rezultatet e vizitave në Moskë dhe Kiev të të dërguarve të posaçëm të Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
“Presidenti rus Vladimir Vladimirovich Putin ka zhvilluar një tjetër telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump”, tha Ushakov gjatë një konference për mediat.
Ai e përshkroi bisedën si konstruktive dhe mjaft të hapur, duke theksuar se ajo u zhvillua në mënyrë profesionale dhe me respekt të ndërsjellë.
Këshilltari i Kremlinit deklaroi gjithashtu se biseda ishte konfidenciale dhe për këtë arsye nuk mund të bëheshin publike shumë prej detajeve dhe nuancave të diskutimit.
Ndërkohë, Putin vijon të kërkojë tërheqjen e plotë të trupave ukrainase nga pjesët e rajonit të Donetskut që nuk kontrollohen nga Rusia, si një nga kushtet për arritjen e paqes. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga Kievi.
Sipas Ushakov, Putin i dha Trump një “analizë objektive dhe të plotë” të situatës aktuale në fushëbetejë, si dhe paraqiti qëndrimin e tij mbi mënyrën e arritjes së objektivave të luftës së Rusisë.
Telefonata e së martës pasoi vizitat në Moskë dhe Kiev të të dërguarve të posaçëm të Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Ushakov tha se të dy presidentët e vlerësuan pozitivisht këtë përpjekje diplomatike, ndërsa Putin vijoi të vlerësojë përpjekjet ndërmjetësuese të Trump.
Gjatë bisedës, sipas këshilltarit të Kremlinit, u diskutuan edhe “masa konkrete” që SHBA-ja mund të ndërmarrë për të përshpejtuar përfundimin e luftës.
“E kuptoni vetë se telefonata ishte konfidenciale, ndaj vështirë se do të jem në gjendje të ndaj shumë detaje dhe nuanca të rëndësishme”, deklaroi Ushakov.



