nga Gazeta Jonë
Qytetarët që kanë prona në proces legalizimi, regjistrimi apo kalimi pronësie duhet të tregohen të kujdesshëm me afatet dhe njoftimet e Kadastrës. Qeveria ka përgatitur një projektligj për ndryshimin e ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, i cili sjell rregulla të reja për tokën bujqësore, ndërtimet pa leje, pallatet me probleme dhe aktet e paligjshme të pronësisë.
Nisma është ende në konsultim publik dhe nuk është miratuar nga Kuvendi. Drafti nuk parashikon rishikimin automatik të çdo prone në Shqipëri, por i jep Kadastrës kompetenca më të forta për kontrollin e dosjeve, mbylljen e procedurave të bllokuara dhe anulimin e akteve që rezultojnë të paligjshme.
Afate të forta për përfituesit e tokës bujqësore
Procedurat për kalimin pa pagesë të tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi nuk do të qëndrojnë më të hapura pa afat.
Kadastra do të hartojë listat e përdoruesve faktikë për çdo ish-kooperativë ose ish-ndërmarrje bujqësore dhe do t’ia dërgojë ato për miratim këshillit bashkiak.
Kur qytetari që ka paraqitur kërkesën nuk gjendet, nuk bashkëpunon ose nuk paraqitet për matjet në terren, Kadastra duhet të bëjë njoftim publik brenda 10 ditëve.
Nga momenti i njoftimit, kërkuesi ka 30 ditë për të plotësuar detyrimet dhe për të bashkëpunuar me institucionin. Nëse nuk reagon, procedura pezullohet për 60 ditë të tjera. Pas përfundimit të këtij afati, nëse qytetari vazhdon të mos paraqitet, Kadastra refuzon kërkesën për kalimin e tokës në pronësi.
Pengon matjet, përjashtohesh nga legalizimi
Projektligji vendos masa më të rrepta edhe për poseduesit e ndërtimeve pa leje që pengojnë punonjësit e Kadastrës gjatë verifikimeve në terren.
Nëse poseduesi nuk lejon evidentimin dhe matjen e objektit, Kadastra mund ta përjashtojë atë nga procesi i legalizimit. Sipas ligjit aktual, procedura vetëm pezullohet dhe rifillon kur qytetari lejon punonjësit të kryejnë verifikimin.
Një procedurë tjetër parashikohet për objektet pa titull pronësie. Në këto raste, fillimisht vendoset pezullimi për 30 ditë. Nëse poseduesi vazhdon të pengojë matjet edhe pas këtij afati, objekti dhe trualli i tij funksional përjashtohen nga procesi i kalimit në pronësi.
Kur Kadastra nuk arrin të identifikojë personin që posedon një ndërtim pa leje, ajo duhet të publikojë njoftimin brenda 10 ditëve. Nëse brenda 90 ditëve nuk paraqitet askush që provon se është poseduesi i objektit, merret vendim për moslegalizimin dhe njoftohen autoritetet e kontrollit të territorit.
Legalizohet ndërtesa, por jo trualli
Ndryshime të rëndësishme parashikohen për shtëpitë informale të ndërtuara tërësisht mbi tokën e një pronari tjetër, në zona ku planet vendore lejojnë ndërtime mbi gjashtë kate.
Sipas ligjit aktual, këto banesa, si rregull, nuk legalizohen dhe procedura qëndron e pezulluar deri në zhvillimin e tokës. Projektligji propozon që Kadastra të legalizojë vetëm ndërtesën, ndërsa trualli të vazhdojë të mbetet në pronësi të pronarit të ligjshëm.
Përpara legalizimit, poseduesi duhet të paraqesë një deklaratë noteriale, përmes së cilës pranon se banesa që do të marrë në objektin e ri do të përcaktohet me marrëveshje me pronarin e tokës ose investitorin.
Nëse marrëveshja nuk arrihet, poseduesi pranon një sipërfaqe banimi të llogaritur sipas normave të strehimit për familjet e pastreha. Nëse nuk e dorëzon deklaratën noteriale, objekti përjashtohet nga legalizimi.
Ndërtesa do të regjistrohet në Kadastër me një shënim që tregon se marrëdhënia e pronësisë me truallin nuk është zgjidhur.
Konfliktet në pallate nuk do ta ndalin legalizimin
Projektligji ndërhyn edhe te pallatet ose objektet e ndërtuara nga kompani që kanë shkelur lejen e ndërtimit.
Kur ka konflikt ndërmjet ndërtuesit, pronarit të tokës ose blerësve të apartamenteve, Kadastra nuk do ta pezullojë procedurën. Objekti mund të legalizohet pa shënuar emrin e përfituesit, ndërsa pronari përfundimtar do të regjistrohet pasi gjykata të marrë vendim të formës së prerë.
Apartamentet ose njësitë për të cilat nuk ka kontratë apo aktmarrëveshje do të legalizohen në emër të ndërtuesit. Nëse kompania është mbyllur juridikisht dhe për njësinë nuk janë regjistruar të drejta të personave të tjerë, prona kalon në favor të shtetit.
Kadastra do t’u dërgojë autoriteteve qendrore dhe vendore listën e ndërtuesve që kanë shkelur lejet ose nuk bashkëpunojnë për plotësimin e dokumentacionit. Këto kompani do të evidentohen si subjekte me risk në administrimin e territorit.
Kadastra mund të anulojë aktet e veta të paligjshme
Një nga ndryshimet më të forta lidhet me të drejtën e Kadastrës për të kontrolluar dhe anuluar aktet e fitimit të pronësisë që janë nxjerrë nga vetë strukturat e saj në kundërshtim me ligjin.
Nëse shkelja zbulohet brenda afateve administrative dhe prona vazhdon të jetë te përfituesi fillestar, Kadastra mund ta anulojë ose shfuqizojë vetë aktin.
Kur vendimi nuk ankimohet, anulimi hyn menjëherë në fuqi dhe pasqyrohet në kartelën e pronës. Nëse pronari ankohet, zbatimi pezullohet deri në shqyrtimin e ankimit, por mbi pronën vendoset kufizim për të ndaluar shitjen ose veprime të tjera.
Kur prona është shitur te një person tjetër ose kanë kaluar afatet administrative, Kadastra nuk mund ta heqë drejtpërdrejt titullin. Dosja i dërgohet Avokaturës së Shtetit ose subjektit që ka të drejtë të ngrejë padi dhe çështja zgjidhet nga gjykata.
Nëse akti i paligjshëm lidhet me një legalizim për të cilin është miratuar kompensim financiar, pagesa pezullohet. Kur paratë janë dhënë, ish-pronari duhet të kthejë kompensimin përpara se t’i rikthehet toka. Deri në kthimin e shumës, mbi pronën vendoset hipotekë ligjore.
Pronat e bashkësive fetare
Drafti krijon një procedurë të veçantë për objektet e kultit dhe ndërtesat me funksion social, arsimor ose shëndetësor që përdoren nga bashkësitë fetare.
Rregulli zbatohet për bashkësitë që kanë marrëveshje me Këshillin e Ministrave dhe për objektet e ngritura përpara 10 gushtit 1991, të cilat nuk kanë titull pronësie.
Kur toka është shtetërore dhe përdoret pa qëllim fitimi për ushtrimin e besimit, ajo kalon pa pagesë. Kur trualli është privat, bashkësia fetare duhet të paguajë kompensimin sipas hartës zyrtare të vlerës së pronës.
Nëse për tokën zhvillohet një proces gjyqësor për kthimin e pronarit në posedim, procedura pezullohet deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Përjashtim për ndërtimet pa leje të shtetit
Projektligji krijon një trajtim të posaçëm edhe për ndërtimet pa leje të ngritura nga institucionet shtetërore për ushtrimin e veprimtarisë së tyre.
Këto objekte do të mund të legalizohen pa iu nënshtruar disa prej kritereve që përdoren për përjashtimin e ndërtimeve private. Bëhet fjalë për kufizimet që lidhen me infrastrukturën publike, rrugët kombëtare, ndërtesat publike, trashëgiminë kulturore, investimet strategjike dhe vijën bregdetare.
Nëse miratohet pa ndryshime, kjo dispozitë do të krijojë një përjashtim të posaçëm për institucionet shtetërore, ndërsa qytetarët dhe subjektet private do të vazhdojnë t’u nënshtrohen kritereve të zakonshme të legalizimit. /gazetajone



