Shoqëria DEL-CNG SHPK ka reaguar publikisht me një deklaratë zyrtare pas publikimit të përgjimeve audio—të cilat u bënë me dije nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ku dëgjohen biseda dhe plane të Ron Yeffet për tregëti armësh përmes Shqipërisë e ku deklaronte akses të fortë tek qeveria shqiptare.
Përmes përfaqësuesit të saj ligjor, Av. Altin Kaziaj, kompania sqaron se audiomateriali është përfituar përmes një ndërhyrjeje të paautorizuar në ambientet e saj private.
“Audiomateriali është marrë përmes një përgjimi të paautorizuar në ambientet private të Shoqërisë, duke përbërë ndërhyrje të padrejtë në jetën private apo sekretet tregtare. DEL-CNG SHPK, administratori, punonjësit e saj dhe bashkëpunëtorët e shoqërisë, NUK kanë pasur dijeni dhe NUK kanë dhënë pëlqim për incizimin apo transmetimin, duke shkelur hapur Kushtetutën, Kodin Penal dhe Ligjin nr. 124/2024 ‘Për mbrojtjen e të dhënave personale’.”
Në deklaratën e saj, kompania distancohet nga Ron Yeffet, duke theksuar se ai nuk gëzon asnjë status apo të drejtë përfaqësimi në emër të këtij subjekti:
“Z. Ron Yeffet NUK është përfaqësues, punonjës, ortak apo administrator i DEL-CNG SHPK dhe nuk ka asnjë autorizim të veprojë apo marrë angazhime në emrin e shoqërisë. Shoqëria nuk ka marrëdhënie biznesi me të dhe prania e tij në takim nuk përbën për shoqërinë miratim të qëndrimeve të tij.”
Lidhur me aludimet për përfshirje në skema të paligjshme apo marrje asetesh, DEL-CNG SHPK i hedh poshtë ato si spekulative:
“Hedhim poshtë çdo aludim spekulativ për skema kriminale, përfitimi të paligjshme, apo marrje të paligjshme asetesh. Sqarojmë se përfaqësuesit tanë kanë këmbëngulur qartë se çdo propozim-procedurë, duhej të ndiqej ekskluzivisht në rrugë të ligjshme. Dëgjimi i një propozimi apo bërja e pyetjeve në një takim privat nuk përbën miratim apo përfshirje në veprimtari të paligjshme. Theksojmë se nuk ekziston asnjë masë me karakter urgjënt nga ana e autoriteteve ligjzbatuese shqiptare si sekuestrim, marrje asetesh apo vendim gjyqësor ndaj nesh.”
Për më tepër, kompania bën me dije se publikimi i zërave dhe imazheve të stafit pa leje cënon dinjitetin dhe sigurinë e tyre, ndërsa kërkon ndërprerjen e menjëhershme të transmetimeve: “Publikimi i zërave, emrave dhe imazheve të punonjësve-bashkëpunëtorëve tanë pa pëlqim, cenon, jetën private, sigurinë dhe dinjitetin e tyre. Liria e medias respektohet, por ajo nuk autorizon përdorimin e përgjimeve të paligjshme apo nxjerrjen e bisedave jashtë kontekstit, duke sjellë një dëm në shumë drejtime.”
“Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të publikimit, anonimizimin e plotë të punonjësve dhe bashkëpunëtorëve tanë dhe botimin e këtij qëndrimi të qartë në interes të së vërtetës.”




