-640-0-helikopter-1789757785

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka paralajmëruar qytetarët për vazhdimin e protestave në kryeqytet, duke u bërë thirrje të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat dhe tubimet e mëdha, si dhe ka thënë se të njëjtat mund të përshkallëzohen shpejt.

Ambasada, përmes një komunikate për media, ka thënë se protesta mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, përfshirë potencialisht edhe qytete të tjera të Kosovës.

“Tubimet e mëdha mund të përshkallëzohen shpejt dhe pa paralajmërim, si dhe mund të shkaktojnë mbyllje rrugësh, devijime dhe pengesa të konsiderueshme në trafik.

Ju lutemi shmangni zonat ku zhvillohen protestat dhe tubimet e mëdha. Qëndroni vigjilentë, kushtojini vëmendje rrethinës suaj dhe ndiqni mediat lokale dhe ueb-faqen e Ambasadës për përditësime”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Ky është reagimi i dytë i Ambasadës gjatë ditës së sotme, teksa edhe një protestë tjetër është paralajmëruar për në orën 21:00.

Protesta e së premtes, në orën 12:00, mblodhi mijëra qytetarë me kërkesën për liri dhe drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Të gjitha këto reagime të qytetarëve vijnë pas dënimit të çlirimtarëve të Kosovës nga Gjykata Speciale, e cila e dënoi Thaçin me 25 vjet, Krasniqin me 25 vjet, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet burgim.