Një ngarkesë me açuge të eksportuara nga Shqipëria drejt Italisë është tërhequr nga tregu pas zbulimit të niveleve të larta të histaminës në produkt. Rasti është sinjalizuar në sistemin evropian RASFF pas kontrolleve të kryera nga autoritetet italiane.
Sipas njoftimit të publikuar më 22 shtator, analizat e mostrave të marra gjatë kontrolleve rutinë kanë evidentuar 800 mg/kg histaminë, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 400 mg/kg ppm. Për këtë arsye autoritetet italiane kanë urdhëruar heqjen e produktit nga tregu dhe kanë njoftuar sistemin RASFF.
Sipas burimeve të cituara nga Qendra ALERT pranë Ministrisë së Bujqësisë açuget ishin importuar fillimisht në Shqipëri, ku më pas janë përpunuar dhe rieksportuar drejt Italisë. Kompania që ka kryer përpunimin dhe eksportin, sipas burimeve është kompania Poseidon sh.p.k.

Histamina te produktet e peshkut mund të krijohet gjatë shpërbërjes bakteriale të aminoacidit histidinë. Procesi favorizohet nga ruajtja në temperatura të papërshtatshme, ndërsa substanca është rezistente ndaj nxehtësisë. Kjo do të thotë se pasi është formuar ajo nuk eliminohet përmes gatimit, skuqjes apo proceseve të tjera termike.
Konsumimi i produkteve me nivele të larta histamine mund të shkaktojë intoksikim ushqimor simptomat e të cilit mund të shfaqen brenda pak minutash deri në disa orë pas konsumimit. Ndër shenjat e raportuara janë skuqja dhe ndjesia e nxehtësisë në fytyrë e qafë, kruajtja e lëkurës, dhimbjet e kokës dhe marramendja.
Problemet mund të përfshijnë gjithashtu dhimbje stomaku, të përziera, të vjella, diarre dhe rritje të rrahjeve të zemrës.
Rasti është referuar në sistemin RASFF, mekanizëm i Bashkimit Evropian që u mundëson autoriteteve të shkëmbejnë me shpejtësi informacion mbi rreziqet që lidhen me ushqimet dhe të marrin masa përfshirë tërheqjen e produkteve nga tregu.



