-1000-0-1790680468xmank-640

Ka një shprehje që përdoret shpesh; institucionet marrin fytyrën e titullarit. Në fakt, ky është një postulat, i cili mban edhe për ekonominë. Edhe ekonomia e një vendi merr fytyrën e atij që e qeveris.

Instituti i Statisikave raportoi se në tremujorin e dytë të vitit, prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.61 për qind i krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Mbi 70 për qind e kësaj rritje erdhi vetëm nga dy sektorë. Ata janë shteti dhe taksat.

Administrimi publik, Arsimi dhe Shëndetësia kontribuan me 1.38 pikë përqindje në rritjen ekonomike të vendit, kurse taksat neto mbi produkte shtuan edhe 1.13 pikë përqindje.

Kjo strukturë rritje, e cila nuk është më episodike por po konsolidohet gjithmonë e më shumë, tregon një të vërtetë të hidhur. Ekonomia shqiptare po fiket. Shqipëria po konsumon dhe po takson, por motori i saj prodhues po fiket përfundimisht.

Shteti dhe taksat si “motorë” artificialë
Peshën kryesore në rritjen reale të vendit e mban sektori “Administrim publik, Arsimi, Shëndetësia”. Në fakt shteti nuk prodhon asgjë dhe nuk krijon vlerë të shtuar. Ajo që në librat e PBB-së, shfaqet si rritje ekonomike e ardhur nga sektori publik, nuk është asgjë tjetër veçse rritja e pagave për administratën apo nëpunësit e gjerë të shtetit.

Ky është një rritje e paqëndrueshme, efektet e të cilës shuhen shumë shpejt; sapo të kalojë viti i rritjes së pagave, që shuan efekti e bazës. Tremujorin e ardhshëm, qeveria duhet të kërkojë në tjetër vend për rritje ekonomike.

Së dyti, taksat neto janë po ashtu një komponent problematik, i cili zbulon një defekt strukturor në ekonomi. Shteti po mbledh më shumë taksa sepse po rritet volumi i mallrave të importit.

Pra Shqipëria shfaq rritje, thjesht sepse po konsumon më shumë produkte të huaja, duke mbushur arkën e shtetit, por pa krijuar asnjë vlerë të re brenda kufijve. Ky komponent është rezultat direkt edhe i zhvlerësimit të euros ndaj lekut.

Forcimi i kursit të këmbimit i bën importet më tërheqëse ndaj prodhimit vendas dhe rrit volumin e importeve. Kjo ka sjell rritjen e të ardhurave nga taksat dhe efektin e tyre në rritjen ekonomike, por nga ana tjetër edhe një faturë të rëndë. Kolapsin e plotë të sektorit prodhues.

Bujqësia në krizë klinike, industria në amulli
Skaji tjetër i grafikut tregon një realitet dramatik. Bujqësia, pyjet dhe peshkimi shënojnë rënien më të madhe në ekonomi, me një kontribut negativ prej -0,38 pikë përqindje.

Sektori që mban me bukë gjysmën e popullsisë rurale po pëson një tkurrje të pandalshme, duke braktisur prodhimin e duke ia dorëzuar tregun plotësisht importeve.

Industria (nxjerrëse dhe përpunuese) ka mbetur krejtësisht në vendnumëro, me një kontribut minimal prej vetëm +0,05 pikë përqindje. Pa një industri përpunuese, ekonomia po humbet çdo ditë aftësinë konkurruese dhe fuqinë eksportuese.

Ndërtimi, sektori i cili për disa vite, ka maskuar asgjësimin e prodhimit, duket se po shuhet. Kjo për shkak të bazës tashmë të rritur, por edhe zmadhimit të tij përtej përmasa normaleve. Pasi u fry për vite me radhë, ndërtimi tashmë në rastin më të mirë nuk mund të fryhet dot më tej.

Shqipëria sot ka një ekonomi që po fiket nga brenda. Nëse ky trend vazhdon, vendi rrezikon të kthehet në një oaz totalisht të varur nga importet, ku paratë e mbledhura nga doganat financojnë një administratë gjithnjë e më të madhe, ndërkohë që fushat mbeten djerrë, ndërsa fabrikat mbyllin dyert.