raiffeisen bank hakerat sulm kibernetik

Banka Raiffeisen ka reaguar për incidentin e rëndë të një dite më parë, ku shumë prej klientëve u ishin marrë paratë nga llogaritë e tyre. Përmes një njoftimi të shpërndarë në rrjetet sociale, Raiffeisen deklaron se situata është zgjidhur plotësisht.

“Gjatë ditës së sotme disa nga klientët tanë kanë pasur përkohësisht ndryshime në balancat e llogarive të tyre të lidhura me disa transaksione me kartë. Situata është adresuar plotësisht dhe balancat e llogarive pasqyrojnë gjendjen e saktë,” njoftoi Raiffeisen.

Banka ka mohuar që të ketë rënë pre e ndonjë sulmi kibernetik, por nuk sqaron se pse qindra klientëve iu ndryshuan llogaritë.

“Dëshirojmë gjithashtu të sqarojmë se nuk është identifikuar asnjë akses i paautorizuar në sistemet e bankës, nuk ka patur kompromentim të të dhënave të klientëve dhe nuk është evidentuar asnjë incident i sigurisë kibernetike,” shton Raiffeisen.

Megjithatë ky njoftim nuk e sqaron se cili ishte shkaku i asaj që ndodhi me paratë e klientëve. Teksa Raiffeisen ka dhënë versionin e saj, tashmë i takon Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Sigurisë Kibernetike të sqarojnë shkaqet e incidentit dhe të verifikojë nëse ka patur thyerje të sigurisë.

Nuk dihet nëse BSH ka nisur inspektim në Raiffeisen, por Kapitali ka mësuar se situata një ditë më parë në bankën me kapital austriak ka qenë shumë e nderë. Shumica e stafit të bankës është thirrur në punë, edhe pse e dielë, për t’u angazhuar në fushatë PR për të qetësuar publikun.