bghnghhngh-6ac64dbe08bc2

Makina me të cilën udhëtonte Ergys Agasi në momentin e arrestimit ishte marrë në Durrës nga Ulian Shpataraku, ish-zyrtar policie, tek një biznes që e kishte nxjerrë në shitje. Sipas pronarit të automjetit, ai e kishte nxjerrë makinën në shitje dhe ia dha për provë Shpatarakut, por më pas, nga lajmet, mësoi se ai ishte arrestuar dhe se makina ishte bllokuar.

Dëshmia e pronarit të makinës

Kadri G., pronari i biznesit që jepte makinat me qira, ka dhënë shpjegimet e tij në SPAK.

Ai tregon se ka një biznes për tregtimin dhe dhënien me qira të automjeteve në Shijak. Më tej, ka sqaruar se automjeti Audi AB 323 JK është i tij dhe e ka blerë në Vlorë, duke treguar se e kishte nxjerrë në shitje bashkë me njoftimin respektiv. Me datë 24.08.2026, diku nga ora 15:00, një shtetas me emrin Uljan është interesuar për ta blerë automjetin, duke shtuar se e njihte nga televizori si fytyrë. Ai tregon se ia ka dhënë automjetin atij personi për ta provuar, duke shtuar se e ka marrë për ta çuar në servis që ta shikonte dhe më pas do të bënte noterinë dhe pagesën për shumën 15.000 euro. Ai ka treguar më tej se në lajme ka parë se Ulian Shpataraku ishte arrestuar dhe se kishte qenë me mjetin e tij Audi AB 323 JK, mjet i bllokuar tashmë nga policia. Ai tregon se nuk e njeh as Ulian Shpatarakun dhe as Ergys Agasin dhe se tabela “Shitet” mund të jetë hequr në momentin kur makina është marrë nga blerësi për provë.