fake-6acd0344b6d24

Një familjeje siriane që kërkon azil në Skoci i janë ofruar 3 mijë paund nga Ministria e Brendshme britanike për t’u zhvendosur në Shqipëri, një vend që asnjë prej anëtarëve të familjes nuk e ka vizituar ndonjëherë.

Rasti, i publikuar nga gazeta skoceze The Sunday National, ngre pikëpyetje mbi saktësinë e vendimmarrjes së autoriteteve britanike për azilin, por edhe mbi mënyrën se si Shqipëria vijon të përfshihet në çështjet e emigracionit, pa u verifikuar nëse ekziston një marrëveshje përkatëse.

“Kjo ndihmë e konsiderueshme mund t’ju ndihmojë të ndërtoni të ardhmen tuaj afatgjatë ose atë të familjes suaj në Shqipëri”, thuhet në letrën që Ministria e Brendshme britanike i ka dërguar Fadi Alsakka, i cili jeton në Glasgow me bashkëshorten Lojain dhe dy fëmijët e tyre, 11 dhe 10 vjeç.

Por Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar ka reaguar publikisht, duke hedhur poshtë ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë

“Nuk ekziston një marrëveshje e tillë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë”, deklaroi ambasada përmes një reagimi në platformën X.

Përfshirja e Shqipërisë në këtë rast, pa një marrëveshje përkatëse, nxjerr në pah një tjetër problem në trajtimin britanik të çështjeve të emigracionit.

Edhe pse këtë herë nuk bëhet fjalë për kriminalizimin e shqiptarëve, vendi përmendet si destinacion zhvendosjeje pa një bazë të konfirmuar marrëveshjeje.