Tirana mes flakëve dhe përplasjeve, protesta e studentëve përshkallëzohet te ministritë, Kryeministria dhe Kuvendi
Protesta e studentëve u përshkallëzua të mërkurën në Tiranë, me zjarrvënie, sulme ndaj institucioneve, dëmtime biznesesh dhe përplasje me policinë në disa zona të kryeqytetit. Tubimi nisi përpara Ministrisë së Arsimit dhe vijoi deri në mbrëmje, duke shkaktuar edhe bllokimin e disa akseve rrugore.
Studentët bojkotuan mësimin dhe u grumbulluan përpara ministrisë më herët se ora 14:00, kur ishte parashikuar protesta. Tensionet nisën me hedhjen e gurëve dhe sendeve të forta drejt godinës, ndërsa një pjesë e protestuesve shkulën kangjellat dhe i vendosën në rrugë. Sipas raportimeve, një grup i vuri zjarrin ambienteve në katin e parë të institucionit.
Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt qendrës, ku u dogjën stola plastikë pranë sheshit “Skënderbej”. Episode dhune dhe zjarrvënieje u raportuan edhe pranë Ministrisë së Financave.
Përpara Kryeministrisë, protestuesit rrethuan godinën dhe i vunë flakën një peme pranë hyrjes. Ndërkohë, te Piramida u raportuan shkatërrime dhe zjarre në biznese të katit të parë.
Tensionet vijuan pranë Kuvendit, ku policia krijoi një kordon për të penguar avancimin e turmës. Në drejtim të efektivëve dhe institucionit u hodhën gurë, molotovë dhe fishekzjarrë. U raportua gjithashtu se protestuesit hapën derën e Kryesisë së Kuvendit dhe i vunë flakën hyrjes.
Gjatë mbrëmjes, grupe protestuesish rrethuan Komisariatin nr. 2, duke hedhur sende të forta dhe fishekzjarrë drejt godinës. Përplasje pati edhe te “21 Dhjetori”, ku efektivët përdorën shkopinj gome. Te Zogu i Zi, gurët dhe kangjellat e vendosura në rrugë bllokuan qarkullimin.
Zjarre u raportuan edhe në ambiente të kompanisë “IuteCredit”, përfshirë në Rrugën e Elbasanit, ndërsa u dëmtuan xhamat e disa bizneseve.
Presidenti Bajram Begaj bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe ofroi institucionin e Presidencës si hapësirë dialogu. Ai kërkoi garantimin e protestës paqësore dhe theksoi se ndërhyrja e policisë duhet të respektojë ligjin dhe proporcionalitetin.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, akuzoi aktorë politikë dhe të huaj për nxitjen e trazirave, duke pretenduar se po shfrytëzoheshin pakënaqësitë e studentëve. Ai deklaroi se qeveria mbetet e hapur për dialog dhe paralajmëroi përgjegjësi ligjore për personat e përfshirë në zjarrvënie e shkatërrime. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dënoi gjithashtu dhunën dhe dëmtimin e institucioneve.



