whatsapp-image-2026-10-15-at-17-42-24-6ad0f7b774484

Dhuna në rrugë, sulmet ndaj policisë, plaçkitja e bizneseve dhe shkatërrimi i pronës publike nuk mund të justifikohen me asnjë arsye. Por as pamjet e zjarreve dhe përplasjeve në Tiranë nuk mund të përdoren për të shmangur pyetjen kryesore: Si arritëm deri këtu?

Sepse ajo që po ndodh sot në rrugët e kryeqytetit nuk lindi brenda një nate. Është rezultat i një pakënaqësie që është grumbulluar prej muajsh, ndërsa një skandal pasonte tjetrin dhe përgjigjja politike për secilin prej tyre mbetej e pamjaftueshme.

Nga Arben Ahmetaj te Erion Veliaj, nga Ergys Agasi te Vlora Hyseni dhe më pas Belinda Balluku, çështjet penale kanë prekur njerëz që kanë pasur pushtet të jashtëzakonshëm, kontroll mbi institucione dhe përgjegjësi për administrimin e miliarda lekëve publike.

Skandali kapi skandalin. Një dosje ende nuk ishte mbyllur dhe një tjetër shpërthente. Ndërsa Edi Rama vazhdonte të qeveriste, pyetjet për përgjegjësinë politike të atyre që kishte zgjedhur, emëruar dhe mbështetur mbeteshin pa një përgjigje bindëse.

Arben Ahmetaj nuk ishte një ministër dosido. Ishte zëvendëskryeministri i Edi Ramës, një prej njerëzve më të rëndësishëm të qeverisë së tij. Sot përballet me akuza të rënda nga SPAK dhe ndodhet jashtë vendit.

Erion Veliaj nuk ishte një kryebashkiak periferik. Ishte një prej figurave kryesore të Partisë Socialiste, i promovuar dhe mbështetur politikisht nga Rama. Sot ndodhet në paraburgim dhe përballet me një dosje me 13 akuza.

Pastaj erdhi Ergys Agasi. Hetimi për tenderat e AKSHI-t ngriti dyshime për një rrjet ndikimi mbi institucione dhe procedura publike, që shkonte përtej historisë së një biznesmeni të vetëm.

Dhe ndërsa ende diskutohej për Agasin dhe lidhjet e tij me zyrtarët, hetimi preku edhe drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit.

Vlora Hyseni, e zgjedhur për të drejtuar një nga institucionet më të ndjeshme të sigurisë kombëtare, përfundoi në arrest shtëpie nën hetim për akuza që lidhen me sekretin shtetëror dhe përkrahjen e autorit të krimit.

Nga tenderat publikë te institucionet e sigurisë kombëtare, çdo dosje e re zgjeronte pikëpyetjet mbi funksionimin e pushtetit.

Dhe mbi të gjitha këto rëndoi çështja e Belinda Ballukut, një prej njerëzve më të fuqishëm të qeverisë Rama.

SPAK ngriti akuza për shkelje të barazisë në tendera dhe më pas zgjeroi hetimet me dyshime për korrupsion dhe pastrim parash. Megjithatë, kërkesa e prokurorisë për autorizimin e arrestimit të saj u rrëzua nga mazhoranca në Kuvend.

Në atë moment, debati nuk ishte më vetëm për fatin penal të një ish-ministreje. Ishte edhe për marrëdhënien e pushtetit politik me drejtësinë.

Të gjithë këta persona gëzojnë prezumimin e pafajësisë dhe përgjegjësia e tyre penale u takon gjykatave ta përcaktojnë.

Por përgjegjësia politike nuk fillon dhe nuk mbaron te vendimi i gjykatës.

Kush i përzgjodhi këta njerëz? Kush u dha pushtetin? Kush i promovoi dhe i mbrojti politikisht? Dhe mbi të gjitha, çfarë përgjegjësie mban drejtuesi i qeverisë kur kaq shumë figura të rëndësishme të sistemit të tij përfundojnë njëra pas tjetrës nën hetim?

Këto janë pyetje që nuk marrin përgjigje duke thënë se secili duhet të përgjigjet individualisht para drejtësisë.

Ndërkohë, pakënaqësia qytetare vijoi të rritej. Protestat që nisën edhe nga kundërshtimi i projektit turistik në Zvërnec morën përmasa më të gjera. Studentët dolën në rrugë me kërkesa për arsimin, tarifat dhe perspektivën e tyre, ndërsa një pjesë e protestuesve kaluan te kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.

Rama ka deklaruar se nuk do të dorëhiqet dhe se është i gatshëm të diskutojë për reformat në arsim.

Por problemi politik është shumë më i gjerë sesa arsimi.

Nuk mund t’i përgjigjesh vetëm me premtime për universitetet një pakënaqësie që ushqehet edhe nga dosjet e korrupsionit, nga mungesa e perspektivës ekonomike dhe nga perceptimi se pushteti nuk mban përgjegjësi për njerëzit e vet.

Sigurisht, kjo nuk i jep askujt të drejtën të djegë institucione, të godasë policë apo të plaçkitë bizneset. Autorët e dhunës duhet të përgjigjen për veprimet e tyre.

Por rikthimi i rendit në rrugë dhe dhënia e përgjigjeve politike janë dy detyrime të ndryshme.

Edi Rama mund të refuzojë dorëheqjen. Mund të mbështetet te mandati i tij elektoral dhe të kërkojë vazhdimin e qeverisjes. Por mandati nuk e përjashton detyrimin për të dhënë llogari.

Pas më shumë se 13 vitesh në pushtet, nuk mjafton më që përgjegjësia për çdo skandal të përfundojë vetëm te emri i radhës në dosjen e SPAK-ut.

Sepse Ahmetaj, Veliaj, Agasi, Hyseni dhe Balluku nuk janë thjesht emra në kronikën e zezë apo në dosjet e drejtësisë. Janë emra që kanë qenë pjesë e pushtetit ose të lidhur me institucione të rëndësishme të shtetit.

Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja që Edi Rama nuk mund ta shmangë pafundësisht: A janë këto vetëm përgjegjësi individuale, apo tregojnë se diçka nuk ka funksionuar në mënyrën se si është ndërtuar dhe ushtruar pushteti?

Sot Tirana po përballet me pasojat e një krize që nuk mund të shpjegohet vetëm me dhunën e protestuesve.

Skandali kapi skandalin, përgjegjësia politike u la në pritje dhe zemërimi u grumbullua. Derisa erdhëm këtu.

Tani qeveria duhet të përballet njëkohësisht me dy sfida: të garantojë rendin publik dhe të japë përgjigje për krizën e besimit që ka përfshirë një pjesë të shoqërisë.

Sepse zjarret mund të shuhen brenda natës. Por pakënaqësia që i parapriu kësaj krize nuk shuhet me ujëhedhëse.