Elon Musk shpenzoi afro gjysmë miliardi dollarë për të ndihmuar republikanët të ruanin kontrollin e Kongresit amerikan, por zgjedhjet e 3 nëntorit përfunduan me një disfatë të rëndë për kandidatët që ai mbështeti. Vetëm tre nga 43 kandidatët republikanë për Dhomën e Përfaqësuesve, të mbështetur drejtpërdrejt nga miliarderi, kishin siguruar fitoren, sipas një analize të publikuar sot nga Reuters.
Nga 43 kandidatët, 33 kishin humbur, ndërsa shtatë gara mbeteshin ende pa rezultat përfundimtar në momentin e përditësimit të të dhënave. Në Senat, gjashtë nga shtatë kandidatët republikanë të mbështetur prej tij kishin humbur, ndërsa gara e fundit, në Alaskë, vazhdonte të ishte e hapur.
Musk, pronari i Tesla, SpaceX dhe platformës X, ishte donatori më i madh individual i zgjedhjeve të mesit të mandatit. Sipas të dhënave të financimit elektoral, ai kishte dhënë të paktën 445 milionë dollarë për të mbështetur republikanët, përmes komiteteve politike dhe organizatave të tjera.
Por investimi më i madh politik i miliarderit nuk arriti të shmangte humbjen e kontrollit republikan mbi Kongresin.
Teksasi, shteti ku Musk ka zhvendosur një pjesë të rëndësishme të perandorisë së tij të biznesit, u kthye në një nga goditjet më të mëdha politike për të. Miliarderi kishte mbështetur fuqishëm republikanin Ken Paxton në garën për Senat, përballë demokratit James Talarico.
Fushata u shndërrua në një nga më të kushtueshmet në historinë amerikane për një garë jo presidenciale. Sipas Associated Press, rreth 158 milionë dollarë nga financimet e Musk përfituan fushatën e Paxtonit, por kjo nuk mjaftoi. Talarico fitoi garën, duke i dhënë demokratëve një fitore historike në një shtet të kontrolluar për dekada nga republikanët.
Goditja nuk përfundoi me Senatin. Demokratja Gina Hinojosa fitoi garën për guvernatore të Teksasit, ndërsa republikanët pësuan humbje edhe në gara të tjera të rëndësishme të shtetit.
Për Musk, pasojat mund të shtrihen përtej rezultatit elektoral. Demokratët, që do të marrin drejtimin e Kongresit të ri, po përgatitin hetime mbi marrëdhëniet e kompanive të tij me qeverinë federale, kontratat publike të SpaceX dhe aktivitetin e tij gjatë drejtimit të Departamentit të Efikasitetit Qeveritar, të njohur si DOGE.
Sipas Reuters, në qendër të shqyrtimit mund të vendosen edhe roli i Starlink në Ukrainë, konfliktet e mundshme të interesit dhe aktivitetet e platformës së inteligjencës artificiale Grok.
Rezultati elektoral ka pasur ndikim edhe në tregjet financiare. Aksionet e Tesla dhe SpaceX kanë pësuar rënie pas zgjedhjeve, ndërsa Associated Press raporton se pasuria personale e Musk është tkurrur me rreth 45 miliardë dollarë.
Musk kishte qenë një nga mbështetësit më të rëndësishëm financiarë të rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024. Dy vjet më vonë, ai vendosi të shpenzonte edhe më shumë për të ruajtur shumicën republikane në Kongres.
Por zgjedhjet e 3 nëntorit treguan se financimet rekord nuk garantuan suksesin e kandidatëve të tij.
Gati gjysmë miliardi dollarë, dhjetëra kandidatë të mbështetur dhe vetëm tri fitore të konfirmuara në Dhomën e Përfaqësuesve. Musk mund të ketë mbetur donatori më i madh i zgjedhjeve amerikane, por këtë herë paratë nuk i siguruan rezultatin që kërkonte.



