Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar ndërhyrjen e Kuvendit për mbulimin e 265.4 milionë lekëve që mungojnë në projektbuxhetin e vitit 2027, vit në të cilin vendi do të zhvillojë zgjedhjet vendore.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i është drejtuar me një shkresë kryetarit të Komisionit parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, duke kërkuar që nevojat financiare të institucionit të merren në konsideratë gjatë shqyrtimit të buxhetit.
Sipas dokumentit, KQZ kishte kërkuar 364.7 milionë lekë shtesë mbi tavanin e Programit Buxhetor Afatmesëm, por në projektbuxhet janë përfshirë vetëm 99.3 milionë lekë. Si rrjedhojë, mbeten të pambuluara 265.467.232 lekë.
Pjesa më e madhe e fondeve të kërkuara lidhet me projektin e magazinës së materialeve zgjedhore dhe supervizimin e tij, për të cilat nevojiten 180 milionë lekë. Ndërkohë, 51.7 milionë lekë kërkohen për mirëmbajtjen e sistemeve informatike dhe 33.7 milionë lekë për qiranë e magazinave në Vaqarr.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, Celibashi paralajmëron se mungesa e financimit mund të cenojë përgatitjet logjistike dhe sigurinë e procesit zgjedhor.
“Shuma e përgjithshme e nevojave të pambuluara në projektbuxhetin e zakonshëm është 265.467.232 lekë. Mosmbulimi i tyre mund të kufizojë kapacitetet magazinuese dhe gatishmërinë logjistike për procesin zgjedhor të vitit 2027”, thuhet në dokument.
Shqetësime ngrihen edhe për funksionimin e sistemeve informatike, ku mungesa e fondeve mund të vonojë mirëmbajtjen dhe testimin e tyre, duke rritur rrezikun e problemeve teknike gjatë zgjedhjeve.
“Mungesa e financimit mund të shtyjë mirëmbajtjen dhe testimin e sistemeve, duke rritur rrezikun e ndërprerjeve të shërbimeve dhe të cenimit të sigurisë”, paralajmëron KQZ.
Një tjetër çështje e ngritur nga Celibashi është Platforma Elektronike e Raportimit Financiar (PERF), e cila ende nuk është funksionale për paraqitjen e raporteve financiare të partive politike.
Për përmirësimin e saj, KQZ ka kërkuar rreth 20 milionë lekë nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, por ende nuk ka marrë konfirmim për financimin.
“Nevojitet mbështetje për përshtatjen me regjimin juridik dhe funksional të platformës PERF, standardizimin e kategorive të raportimit, validimin e të dhënave, testimin dhe publikimin e raporteve në format të hapur”, thuhet në shkresë.
Në rast se financimi nga donatori nuk sigurohet, kreu i KQZ-së kërkon që kjo shumë të mbulohet nga buxheti i shtetit, në mënyrë që platforma të vihet në funksion.
Sa u përket përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027, KQZ parashikon trajnimin e administratës zgjedhore, garantimin e sigurisë së sistemeve dhe pajisjeve, informimin e votuesve dhe përmirësimin e aksesueshmërisë së qendrave të votimit.
“Për vitin 2027, përparësia kryesore e KQZ-së është përgatitja dhe administrimi i zgjedhjeve vendore. Në këtë kuadër, KQZ do të përqendrohet në trajnimin e administratës zgjedhore, garantimin e gatishmërisë dhe sigurisë së sistemeve e pajisjeve zgjedhore, informimin e zgjedhësve dhe përmirësimin e aksesueshmërisë së qendrave të votimit”, theksohet në dokument.
Institucioni nënvizon gjithashtu se programi për informimin dhe edukimin e zgjedhësve është ende në hartim, ndërsa fushatat informuese dhe matja e nivelit të njohurive të votuesve nuk kanë nisur.
Për personat me aftësi të kufizuara parashikohet verifikimi i kushteve në qendrat e votimit, përgatitja e materialeve në të paktën tri formate të aksesueshme dhe trajnimi për votimin e asistuar. KQZ thekson se financimi i këtyre masave u takon njësive të qeverisjes vendore.
“Pa mbështetjen e nevojshme financiare, pengesat e identifikuara mund të mos adresohen në kohë”, paralajmëron institucioni.
KQZ do të vijojë gjithashtu ndjekjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, si dhe përgatitjen e analizave dhe propozimeve teknike për reformën zgjedhore.



