-900-0-1730450820xklodijpg-547

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja mbi aktivitetin e grupit kriminal që, sipas SPAK, drejtohej nga Franc Çopja dhe Ervis Çela. Të dy akuzohen për drejtimin e një organizate që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.

E ftuar në emisionin “Opinion”, në TV Klan, Lala foli për mënyrën se si funksiononte grupi, konfliktet mes grupeve kriminale dhe mënyrën e ruajtjes së parave të përfituara nga trafiku i drogës.

Sipas gazetares, një nga personat kryesorë të organizatës ishte Ervis Çela, i cili kishte jetuar për 25 vite në Paraguai dhe nuk ishte bërë i njohur për autoritetet deri në arrestimin e tij në Qeparo.

“Në këtë organizatë që ju nxorët, kryesori është Ervis Çela”, deklaroi Lala.

Gazetarja u ndal edhe te konflikti mes Franc Çopjas dhe Erion Alibejt, i cili, sipas saj, nisi për shkak të trafikut të drogës në Britaninë e Madhe.

Ajo tha se përplasjet mes dy grupeve çuan në masakrën e Bradasheshit dhe më pas në një seri vrasjesh.

“Franc Çopja ka një sërë vrasjesh në përballjen me Erjon Alibej, që është kreu i një grupimi kriminal. Konflikti nisi për çështjet e drogës në Britaninë e Madhe, ndodhi masakra e Bradasheshit dhe më pas u bë sërish seri vrasjesh”, u shpreh gazetarja.

Një tjetër detaj që Lala zbuloi lidhet me sasitë e mëdha të parave që dyshohet se qarkullonin brenda organizatës.

Sipas saj, në një moment anëtarëve të grupit u ishte prishur makina e numërimit të parave dhe kishin kërkuar një tjetër pajisje.

“Ore, këtu ka një problem. Atyre u prishet makina e numërimit të parave dhe kanë kërkuar një makinë për t’i numëruar. Këtë e ke në dosje”, tha Lala.

Gazetarja tregoi gjithashtu se Franc Çopja kishte përdorur kriptomonedhat dhe lingotat e arit për ruajtjen e pasurisë së dyshuar kriminale.

“Franc Çopja është i pari që futi kriptomonedhat dhe lingotat e arit. Këta, për herë të parë, i groposën në ullinj. Pasuria e sekuestruar është 9.2 milionë euro”, deklaroi ajo.

Sipas SPAK, pasuritë e sekuestruara në kuadër të hetimeve ndaj këtij grupi arrijnë vlerën e 9.2 milionë eurove.

Ndërkohë, hetimet kanë dokumentuar pesë raste të sekuestrimit të sasive të mëdha të kokainës në portet europiane.

Në dhjetor 2019, në Rotterdam të Holandës, u sekuestruan rreth 255 kilogramë kokainë. Në prill 2020, në Barcelonë të Spanjës, u kapën rreth 495 kilogramë, ndërsa në maj të po atij viti, në Rotterdam, u sekuestruan edhe 300 kilogramë të tjerë.

Në nëntor 2020, në Holandë, u sekuestruan rreth 600 kilogramë kokainë. Rasti më i madh i dokumentuar lidhet me shkurtin e vitit 2021, kur në portin e Hamburgut, në Gjermani, u sekuestruan rreth 17 tonë kokainë.