Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi përdorimin e ndihmës ekonomike në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Në qendër të hetimeve është një skemë e dyshuar favorizimi të familjeve në nevojë, të cilat mund të jenë përfshirë në listat e përfituesve të ndihmës ekonomike me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale për Partinë Socialiste.
Dosja e nisur fillimisht nga Prokuroria e Elbasanit ka zbuluar ndryshime të pazakonta në numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike në Njësinë Administrative Gjocaj, në Peqin.
Konkretisht, gjatë periudhës nëntor–dhjetor 2024, kur kishin nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, numri i familjeve përfituese u rrit nga 110 në 320.
Brenda një periudhe të shkurtër, në listat e ndihmës ekonomike u shtuan 210 familje, duke e çuar numrin e përfituesve në gati trefishin e nivelit të mëparshëm.
Kjo rritje ka ngritur dyshime se skema e mbështetjes sociale mund të jetë përdorur për qëllime elektorale, përmes përfshirjes së personave që nuk plotësonin kriteret ose favorizimit të familjeve të caktuara.
Hetimet nisën pas denoncimit të një qytetari, i cili kishte konstatuar se figuronte si përfitues i ndihmës ekonomike, megjithëse jetonte prej vitesh në Greqi dhe nuk kishte aplikuar për këtë përfitim.
Verifikimet e mëtejshme zbuluan dyshime për ndërhyrje në sistemin elektronik të aplikimeve, përdorim të kredencialeve të punonjësve dhe përfshirje të zyrtarëve vendorë në administrimin e listave.
Në dosje janë përfshirë administratorë dhe punonjës të strukturave vendore, ndërsa një pjesë e hetimeve është referuar në SPAK për shkak të dyshimeve që lidhen me zyrtarë të nivelit të lartë.
Pikërisht në këtë fazë është shfaqur edhe emri i deputetes socialiste Sara Mila, për të cilën po verifikohen pretendimet mbi një ndërhyrje të mundshme në zgjerimin e listës së përfituesve të ndihmës ekonomike në funksion të mbështetjes elektorale.
Objekti i hetimit është të përcaktojë nëse përfitimet sociale janë kushtëzuar me votën dhe nëse persona me funksione publike kanë ndikuar në mënyrë të paligjshme në shpërndarjen e tyre.
Sara Mila ishte një nga kandidatet më të votuara të Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 11 majit 2025, ku siguroi mandatin e deputetes përmes listës së hapur.
Pas daljes nga SPAK, deputetja deklaroi se ishte pyetur në cilësinë e personit që kishte dijeni për çështjen dhe se do të ishte në dispozicion të drejtësisë sa herë të kërkohej.
Ajo i cilësoi pretendimet ndaj saj si pjesë të një fushate politike për hedhjen e baltës, duke mohuar në këtë mënyrë akuzat e ngritura publikisht.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar deputetes ndonjë akuzë konkrete, pasi nuk ka një konfirmim zyrtar të statusit të saj si person nën hetim apo e pandehur.
Çështja ka rëndësi përtej emrit të deputetes, pasi ngre dyshime mbi përdorimin e fondeve publike të destinuara për familjet në nevojë si instrument për ndikimin e votës.
Hetimet duhet të përcaktojnë nëse rritja e pazakontë e numrit të përfituesve ka ardhur nga kërkesa të ligjshme apo nga ndërhyrje të qëllimshme për favorizime elektorale, si edhe përgjegjësitë individuale të personave të përfshirë.



