split-screen-political-portraits-6b0031e7f3e33

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar me një letër publike Belinda Ballukut, duke i kërkuar ndërhyrjen e saj për të mundësuar kryerjen e një operacioni në këmbë në Tiranë. Ai pretendon se ndodhet prej një muaji në izolim në institucionin penitenciar të Fierit, me një këmbë të thyer dhe nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale.

Megjithëse pranon se kërkesat e tij drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Drejtësisë, Gogu, dhe drejtoreshës së Burgjeve kanë mbetur pa përgjigje, Veliaj e zhvendos vëmendjen te Balluku, të cilës i kërkon zgjidhjen e problemit.

Madje, kryebashkiaku lë të kuptohet se është pikërisht Balluku ajo që ka ndikimin vendimtar, ndërsa Rama nuk ka më fuqi për të marrë vendime.

“Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se ‘Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim’ dhe se ‘hallin tënd e zgjidh veç Bela’. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike”, shkruan Veliaj.

Në letrën e tij, ai i drejtohet Ballukut me cilësimin ironik “Dr. e Qarkut Fier”, duke e akuzuar se qëndron pas transferimit të tij në këtë institucion.

“Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është ‘sekret’”, shprehet kryebashkiaku.

Veliaj i kërkon Ballukut të miratojë ndërhyrjen kirurgjikale në kryeqytet, pranë mjekut që e ndjek dhe familjes së tij, ndërsa e përfundon letrën me nënshkrimin “Socialisti me duar të lidhura”.

Qëndrimi i Veliajt sjell në vëmendje edhe linjën e kritikave të Elisa Spiropalit, duke krijuar përshtypjen se pakënaqësitë brenda radhëve socialiste po përqendrohen te Balluku, ndërsa përgjegjësia politike e Ramës lihet në plan të dytë.

Fajin e ka Belinda, jo Rama – Pas Spiropalit, edhe Veliaj me letër