Kompania ajrore irlandeze Ryanair ka ndryshuar rregullat për pasagjerët që nuk paguajnë tarifë shtesë për të zgjedhur vendin ku do të ulen në avion.
Sipas politikës së re, këta pasagjerë do të mësojnë numrin e sediljes së tyre vetëm 3 deri në 4 orë përpara nisjes së fluturimit dhe jo menjëherë pas kryerjes së check-in online, siç ndodhte më parë.
Deri më tani, pasagjerët mund të kryenin check-in 24 orë përpara nisjes, të mësonin vendin që u ishte caktuar automatikisht dhe, nëse nuk ishin të kënaqur, të paguanin për të zgjedhur një sedilje tjetër.
Me rregullat e reja, kjo mundësi kufizohet ndjeshëm.
Ryanair e ka justifikuar vendimin me ankesat e pasagjerëve që dëshironin të blinin një vend të preferuar ditën e udhëtimit, por e gjenin atë të zënë nga udhëtarët të cilëve u ishte caktuar falas.
Kompania ka sqaruar se karta elektronike e imbarkimit do të përditësohet automatikisht me numrin e sediljes 3 deri në 4 orë përpara nisjes së avionit.
Ndryshimi ka shkaktuar pakënaqësi mes udhëtarëve në rrjetet sociale, ku disa e konsiderojnë atë një tjetër mënyrë të kompanisë për të nxitur pasagjerët të paguajnë tarifa shtesë.
Politika e re mund të favorizojë rritjen e të ardhurave të Ryanair nga shitja e shërbimeve shtesë, duke shtuar pasigurinë për pasagjerët që preferojnë të udhëtojnë me koston më të ulët të mundshme. /



