IMG_6807

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar vizitën e ambasadorit amerikan Eric Wendt në SPAK dhe mesazhet e tij lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas Lalës, deklaratat e diplomatit amerikan për gjurmimin e parave përmes kriptomonedhave dhe sigurimin e provave dixhitale përbëjnë një mesazh të qartë dhe të fortë për politikën shqiptare.

Gazetarja theksoi se përdorimi i kriptomonedhave për fshehjen e parave të përfituara nga korrupsioni nuk është një fenomen i ri, ndërsa ngriti dyshime se edhe politikanë të rëndësishëm shqiptarë kanë investuar në portofole të tilla.

“Ambasadori dha një mesazh të qartë dhe të fortë për politikën. Foli për kriptomonedhat. Nuk është gjë e re, por ka dyshime se politikanë të rëndësishëm kanë investuar në portofole kriptomonedhash. Vlerat e përfituara si ryshfete janë shumë të mëdha. Lingotat e arit janë një mënyrë, janë edhe kriptomonedhat. Ambasadori Wendt e tregoi qartë. Sado perfekt të jetë një krim, gjithmonë ka gjurmë. Mjafton që një hetues i mirë të dijë ta gjejë atë”, u shpreh Lala.

Ajo nënvizoi se gjurmët e korrupsionit mund të zbulohen përmes komunikimeve, marrëveshjeve të paligjshme, blerjes së votave, investimeve dhe lëvizjeve të parave në kriptomonedha.

“Janë komunikimet e bëra, pazaret, blerja e votave, investimet apo flukset e parave në kriptomonedha”, deklaroi gazetarja.

Lala u ndal gjithashtu te bashkëpunimi i partnerëve ndërkombëtarë me SPAK-un, duke theksuar se institucionet shqiptare të drejtësisë po mbështeten me prova dhe asistencë nga partnerët e huaj. Megjithatë, sipas saj, sigurimi i provave mbetet një sfidë, për shkak të përpjekjeve të mundshme për zhdukjen e tyre.

Gazetarja vlerësoi se përmendja nga ambasadori Wendt e të dhënave dixhitale që mund të ruhen në serverët e kompanive amerikane përbën një shqetësim serioz për mazhorancën dhe politikën shqiptare.

“Partnerët ndërkombëtarë po e furnizojnë me prova SPAK-un dhe bashkëpunojnë ngushtë. Është sfidë, sepse mund të ketë përpjekje për zhdukjen e provave, por fakti që ambasadori foli për prova dixhitale, se ka një server diku në SHBA që e ka ruajtur atë të dhënë, kjo besoj se e shqetëson fort mazhorancën dhe politikën shqiptare”, u shpreh Lala.

Në përfundim, gazetarja ngriti edhe çështjen e flukseve financiare që, sipas saj, burojnë nga aktivitetet kriminale në Shqipëri dhe janë përdorur për blerjen e votave.

Kujtojmë se ambasadori amerikan Eric Wendt, gjatë takimit me kreun e SPAK-ut, Klodian Braho, dhe drejtuesin e BKH-së, Joni Keta, theksoi se zyrtarët e korruptuar mund t’i fshehin ryshfetet në portofole kriptomonedhash dhe llogari bankare jashtë vendit.

Diplomati amerikan kërkoi që hetuesit të ndjekin gjurmët dixhitale dhe të sigurojnë në kohë provat që ruhen në serverët e kompanive amerikane.