Kompanitë private, vendase dhe të huaja, mund të përfshihen në menaxhimin e spitaleve publike në Shqipëri, ndërsa infrastruktura, aparaturat mjekësore dhe personeli i këtyre institucioneve do të mund të vihen në dispozicion të subjekteve private kundrejt pagesës.
Këto janë disa nga ndryshimet kryesore të projektligjit për autonominë spitalore, të depozituar në Kuvend nga deputeti socialist Asfloral Haxhiu, përmes të cilit synohet zgjerimi i kompetencave administrative dhe financiare të spitaleve publike.
Projektligji parashikon që spitalet autonome të mund të kontraktojnë kompani private për asistencë teknike, konsulencë dhe mbështetje në menaxhimin e plotë ose të pjesshëm të institucionit. Pagesat për këto shërbime mund të përballohen edhe nga të ardhurat që gjenerojnë vetë spitalet.
Përfshirja e privatit në administrimin e spitaleve publike është paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama, i cili gjatë një takimi me mjekët në Lezhë kishte bërë të ditur se qeveria po diskutonte me dy grupe ndërkombëtare për menaxhimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me mundësinë që spitalet shtetërore të gjenerojnë të ardhura duke u ofruar subjekteve private akses në infrastrukturën dhe kapacitetet e tyre mjekësore.
Klinikat private, kompanitë e sigurimeve shëndetësore dhe subjekte të tjera mund të lidhin marrëveshje me spitalet publike për përdorimin e aparaturave diagnostikuese, skanerëve, rezonancave magnetike, sallave të operacionit dhe shërbimeve të personelit mjekësor.
Spitaleve u krijohet gjithashtu mundësia të bashkëpunojnë me kompani farmaceutike për zhvillimin e provave klinike dhe testimin e pajisjeve mjekësore, si dhe të ofrojnë shërbime në kuadër të turizmit shëndetësor.
Projektligji zgjeron kompetencat e bordeve drejtuese të spitaleve, të cilat do të mund të përcaktojnë tarifat për shërbimet jashtë paketës së mbuluar nga sigurimet shëndetësore, përfshirë edhe tarifat e korsisë preferenciale, që u mundëson pacientëve marrjen e shërbimit kundrejt pagesës pa ndjekur sistemin e zakonshëm të referimit.
Ndryshime të konsiderueshme propozohen edhe për praktikën e dyfishtë të mjekëve. Nga mundësia e ofrimit të konsultave ambulatore pas orarit zyrtar, projektligji zgjeron hapësirën për ushtrimin e aktivitetit privat brenda spitaleve publike, duke përfshirë ekzaminimet, trajtimet dhe ndërhyrjet kirurgjikale.
Të ardhurat e siguruara nga këto aktivitete do të administrohen nga vetë spitalet nëpërmjet llogarive të hapura në bankat e nivelit të dytë.
Megjithëse projektligji përcakton se bashkëpunimi me privatin nuk duhet të cenojë shërbimet e urgjencës dhe ato për pacientët e siguruar, zgjerimi i shërbimeve me pagesë brenda spitaleve publike ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të ndahen kapacitetet ndërmjet dy kategorive të pacientëve, veçanërisht në spitalet ku aktualisht ka lista të gjata pritjeje për ekzaminime dhe ndërhyrje kirurgjikale. /gazetajone



