gt-6b085c85a3aea

Një grup studentësh kanë njoftuar krijimin e një force të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”.

Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate për shtyp, në të cilën nismëtarët bëjnë me dije se kjo parti vjen si rezultat i bashkimit të të rinjve, atdhetarëve dhe profesionistëve.

“Ne, një grup studentësh, të bashkuar me të rinjtë, atdhetarët dhe profesionistët, deklarojmë sot me zë dhe figurë krijimin e partisë ‘Të Bashkuar për Shqipërinë’.

Për 180 ditë, mijëra të rinj, prindër dhe qytetarë kanë treguar që Shqipëria nuk është e lodhur. Ky zë u përket të gjithëve atyre që iu bashkuan protestave për Shqipërinë.

Partia do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt shtetit të së drejtës. Duam të bashkojmë zërat e shqiptarëve për një Shqipëri të bashkuar”, deklaroi grupi nismëtar.

Gjatë prezantimit të nismës, studentët bënë të ditur se në javët në vijim do të zbresin në qytete dhe fshatra të vendit, ku përmes takimeve me qytetarët synojnë të ndërtojnë programin politik të partisë së re.

Kufizimi i mandateve të drejtuesve, eliminimi i privilegjeve për themeluesit dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje ishin disa prej angazhimeve të bëra publike gjatë prezantimit të kësaj nisme.

“Shqipëria nuk është lodër. Në javët që vijnë do të jemi në fshatra dhe qytete për të ndërtuar programin e kësaj partie. Shqiptarët meritojnë një politikë që i dëgjon, drejtues me mandate të kufizuara, jo privilegje për themeluesit. Ftojmë shqiptarët të bashkohen, se e ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet në një rreth të mbyllur, por nga të gjithë ne.

Kjo parti është nismë e studentëve, ka edhe pedagogë dhe persona të aftë në fusha të ndryshme që duan të japin kontributin e tyre”, u shpreh një prej studentëve gjatë prezantimit.