Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, vijon të shpenzojë miliona euro nga taksat e shqiptarëve, apo nga kreditë që sërish i paguajnë shqiptarët e varfër, për disa projekte që i shërbejnë vetëm 1 % të popullit apo të taksapaguesve.
Pasi mbushi me hotele, bare e restorante gjithë Shqipërinë, duke ua shpërndarë miqve të tij apo të mazhorancës, Agolli ka hapur një tjetër tender.

Agolli synon që të përmirësojë estetikisht plazhin e Durrësit. Më shumë ngjason me premtimin e famshëm të Ferdinand Xhaferrit, i cili kur kandidoi për kreun e Bashkisë së Durrësit tha se “do përmirësojmë cilësinë e diellit”.
Kreu i FSHZH-së është pak më i rafinuar, duke shkruar në letra se ka hapur tenderin me objekt “ndërhyrje për rritjen e ofertës turistike dhe për përmirësimin funksional dhe estetik të bregdetit, Bashkia Durrës”.
Mësohet se fondi limit është plot 540,893,816 lekë, ose nëse do e konvertojmë në euro shuma shkon në plot 5.5 milionë euro. Projekti synohet që të realizohet brenda 18 muajve.

Në fotot e publikuara, FSHZH-ja ka parashikuar që të ndërtojë edhe brenda në det. Agolli synon që të bëjë disa “ishuj” në stilin e Dubait, por vetëm me një ndryshim të madh. Ishujt janë në miniaturë, ose mikroskopikë dhe jo të banuar apo që të ndërtosh vila apo resorte. Natyrisht idetë nuk mungojnë, por zbatimi lë shumë për të dëshiruar.
Gjithsesi, në dokumente shkruan se “zona e studimit, e shënuar me ngjyrë në hartë, ndodhet në zonën bregdetare që shtrihet nga Ura e Dajlanit deri te Godina e Kavalishencës”.

Fondi shkruan se projekti synon transformimin e vijës bregdetare të qytetit të Durrësit në një destinacion bashkëkohor turistik, rekreativ dhe urban, përmes ndërhyrjeve arkitekturore e urbane të planifikuara me kujdes. “Ai përfshin zgjerimin e plazhit ekzistues, krijimin e një parku linear të gjelbër përgjatë vijës detare, zhvillimin e hapësirave publike multifunksionale dhe integrimin e infrastrukturës së re rekreative e sportive. Gjatësia e zonës së ndërhyrjes është rreth 2.8 km, me një zgjerim të bregut deri në 100 metra drejt detit, duke krijuar hapësira të reja publike për banorët dhe vizitorët” vijon dokumenti.
Por, a nuk u bë një tender i ngjashëm vitin e kaluar?!
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, vitin e kaluar FSHZH-ja hapi një tender për të mbushur me rërë bregdetin e Durrësit, por duket se projekti i shërben më shumë firmës “EMAAR”, të Mohamed Alabbar.
Në atë projekt duket mjaft qartë se i gjithë territori te Porti i Durrësit, atje ku po ndërtohet “Durrës Yacht & Marina”, do të mbushet me rërë dhe do të krijohen plazhe. Fondi i këtij tenderi ishte plot 6 milionë euro. Në dokumente shkruhej se kërkohej riprofilimi dhe mbushja me rërë e vijës bregdetare nga Ura e Dajlanit deri tek Godina e Kavalishencës, Durrës”.
Mbushja do të bëhej nga Porti deri tek fundi i shëtitores së re te godina e Kavalishencës.
“Në zonën e Portit të Durrësit po zhvillohet një investim i njohur si Durres Yaht Marina që synon dhe krijimin e një zone të re bregdetare. Pranë këtij investimi, zona ranore e bregut të detit është shumë e reduktuar dhe ka një gjerësi prej rresh 15 deri në 20 metra” thuhet në këto dokumente.
Tashmë, do të investohen të tjera miliona euro për të njëjtin projekt. Po synohet të “ndihmohet” Alabbari? Apo firma që mbushi me rërë plazhin s’ka bërë punime të mira?/Voxnews



