-900-0-1753556435x900-0-1747949612x900-0-1747145379xilir-alimehmeti-987-1-740-740

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka sqaruar arsyet e mungesës së tij në grumbullimin e thirrur nga PD para Kryeministrisë pasditen e së hënës. Në intervistë për Off the Record në A2 CNN, Alimehmeti theksoi se Këshilli Kombëtar nuk është thirrur dhe as konsultuar për këtë nismë.

Ai u shpreh se aktiviteti nuk kishte karakter proteste: “U la një mundësi për të folur deputetët që me sa duket kanë vështirësi të mëdha brenda Parlamentit. Nuk mund të quhet protestë.” Sipas tij, formati i foltores pritet të vazhdojë çdo javë dhe nuk përfaqëson një reagim të mirëfilltë politik.

Alimehmeti nënvizoi se Këshilli Kombëtar nuk ka diskutuar aspak për këtë aksion dhe se informacioni i ardhur tek anëtarët ishte se bëhej fjalë për një platformë diskutimi deputetë–qytetarë. “Unë jam pro protestave të qëndrueshme, me kuptim. Kjo nuk ishte e tillë, thjesht një foltore,” tha ai.

Duke iu referuar zgjedhjeve të fundit, Alimehmeti theksoi se partia ka ende nevojë për analiza të thelluara, duke rikujtuar se OSBE/ODIHR i ka cilësuar proceset të pabarabarta.

Në fund, ai deklaroi se protesta e madhe kombëtare do të shpallet së shpejti: “Presim javën tjetër për më shumë,” u shpreh Alimehmeti.