-640-0-screenshot-3-12-1773786632

Nga Financial Times

Brenda pak vitesh, princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka kaluar nga paralajmërimet kundër “zbutjes” së liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, të cilin e quante “Hitleri i ri i Lindjes së Mesme” në nisjen e një afrimi historik me Teheranin.

Në një nga lëvizjet më të rëndësishme të politikës së tij të jashtme, Mohammed bin Salman synoi të ulte tensionet shumëvjeçare mes Arabisë Saudite dhe Iranit, duke besuar se dialogu do të sillte stabilitetin e nevojshëm për realizimin e vizionit të tij ekonomik.

Por zhvillimet e fundit duket se kanë vënë në pikëpyetje këtë strategji. Që nga sulmet e ndërmarra dy javë më parë nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj Iranit, regjimi iranian ka goditur vazhdimisht Arabinë Saudite dhe vendet fqinje të Gjirit, duke shënjestruar baza amerikane, ambasadën amerikane në Riad, rafinerinë e Ras Tanurës dhe fushën e madhe naftëmbajtëse në Shaybah.

“Është gjëja e fundit që ai dëshironte. Ai kërkon stabilitet dhe rend, jo raketa dhe dronë në ajër”, u shpreh Bernard Haykel nga Universiteti Princeton.

Zgjatja e konfliktit rrezikon seriozisht përpjekjet e princit për të tërhequr investime të huaja dhe për ta kthyer vendin në një qendër rajonale të tregtisë, turizmit dhe financave. Si pasojë e situatës, Formula 1 ka anuluar garat e planifikuara për muajin prill në Arabinë Saudite dhe Bahrein.

Deri më tani, Arabia Saudite është prekur më pak se disa vende të tjera të Gjirit si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Katari, të cilat kanë përballuar më shumë sulme me raketa dhe dronë. Aksesimi në Detin e Kuq i mundëson gjithashtu të shmangë Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik që është prekur nga sulmet iraniane.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i kompanisë shtetërore të energjisë Saudi Aramco, Amin Nasser, paralajmëroi për “pasoja katastrofike” për ekonominë globale nëse konflikti vazhdon, duke e cilësuar atë si krizën më të madhe për industrinë e naftës dhe gazit në rajon.

Sipas Firas Maksad nga Eurasia Group, kjo situatë përbën një goditje për planin “Vizioni 2030”, që synon transformimin e ekonomisë saudite dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Ai thekson se vendi mund të detyrohet të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, duke ngadalësuar reformat ekonomike.

Analistët vlerësojnë se ka pak skenarë pozitivë për Arabinë Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit. Publikisht, Riadi ka dënuar Iranin dhe ka bërë thirrje për ulje tensionesh, por në të njëjtën kohë ekziston frika se një ndërprerje e papritur e ofensivës nga presidenti amerikan Donald Trump mund të lërë pas një Iran të dobësuar, por më agresiv.

Burime pranë autoriteteve saudite theksojnë se Riadi nuk kërkon ndryshim regjimi në Iran, por një dobësim të tij e konsideron në interesin e vet. Ndërkohë, mbetet shqetësimi se konflikti mund të përshkallëzohet më tej, duke përfshirë edhe rebelët Houthi të mbështetur nga Irani.

Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit kanë qenë tradicionalisht të kujdesshme ndaj Iranit që nga revolucioni islamik i vitit 1979, por në vitin 2023 rivendosën marrëdhëniet diplomatike përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kina.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për të shmangur përfshirjen në konflikt, sulmet e fundit tregojnë se stabiliteti në rajon mbetet i brishtë, ndërsa Arabia Saudite përballet me një nga sfidat më të mëdha të viteve të fundit.