Indrit Cërloj, ish-drejtori i Institucionit të Vuajtjes së Dënimit në Durrës, është arrestuar sot, vetëm një ditë pasi u shkarkua nga detyra.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, bën me dije se arrestimi lidhet me arratisjen e Altin Ndocit
Së bashku me Cërlojn është vënë në pranga edhe mjekja e burgut, e dyshuar për ndihmë në realizimin e planit të arratisjes.
Që të mërkurën është pezulluar nga detyra i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës. Verifikimet paraprake kanë zbuluar se institucioni nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore të të paraburgosurit, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.
Si ndodhi arratisja
Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin Rajonal të qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit.
Nga burgu drejt spitalit, Ndocin e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë, por 2 prej efektivëve kanë qëndruar në makinë bashkë me drejtuesin dhe 2 policë të tjerë e kanë shoqëruar brenda spitalit.
Gjatë vizitës, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar. Në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit.



