Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione të reja që synojnë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse, duke sinjalizuar një ndryshim të madh në qasjen e Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Masat e marra kundër Rosneft dhe Lukoil shënojnë herën e parë që SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë që nga rikthimi i Trump në detyrë në janar.
“Çdo herë që flas me Vladimirin, zhvilloj biseda të mira dhe pastaj ato nuk çojnë askund. Ato thjesht nuk shkojnë askund”, tha Presidenti Donald Trump, pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte për të diskutuar negociatat e paqes.
Njoftimi për sanksionet erdhi një ditë pasi Trump tha se një takim i planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.
Më herët të mërkurën, Rusia nisi një bombardim intensiv mbi Ukrainën që vrau të paktën shtatë persona, përfshirë fëmijë.
Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, tha se sanksionet e reja ishin të nevojshme për shkak të “refuzimit të Putinit për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë”. Ai tha se këto kompani nafte financojnë “makineri lufte” të Kremlinit.
“Tani është koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm”,tha Bessent në një deklaratë.
Duke folur përkrah Rutte në Zyrën Ovale të mërkurën, Trump kritikoi Putinin se nuk ishte serioz në lidhje me arritjen e paqes dhe tha se shpresonte që sanksionet do të ndihmonin në arritjen e një përparimi.
“Thjesht ndjeva se kishte ardhur koha. Pritëm gjatë”, tha Trump.
Ai e quajti paketën e sanksioneve “të jashtëzakonshme” dhe shtoi se shpresonte që ato të tërhiqeshin shpejt nëse Rusia pranon të ndalojë luftën.
Dy firmat ruse të naftës eksportojnë 3.1 milionë fuçi naftë në ditë. Rosneft është përgjegjëse për gati gjysmën e të gjithë prodhimit rus të naftës, që përbën 6% të prodhimit global, sipas vlerësimeve të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Nafta dhe gazi janë eksportet më të mëdha të Rusisë, dhe klientët më të mëdhenj të Moskës përfshijnë Kinën, Indinë dhe Turqinë. Trump u ka kërkuar gjithashtu këtyre vendeve të ndalojnë blerjet e naftës ruse në një përpjekje për të ushtruar presion ekonomik mbi Kremlinin.
Lëvizja e Trump u vlerësua nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, e cila tha se sanksionet e SHBA-së janë “fuqimisht të mirëpritura”.



