IMG_2432

Gjeoinxhinieria solare po nxit kërkime dhe interes të shtuar, por shumë ekspertë e konsiderojnë atë të rrezikshme dhe kundërproduktive. Ideja e zbehjes së rrezeve të Diellit për të luftuar ngrohjen globale nuk është e re.

Në vitin 1816, bota përjetoi “vitin pa verë” pas shpërthimit gjigant të vullkanit Tambora në Indonezi. Hiri dhe gazrat e lëshuar në atmosferë bllokuan një pjesë të dritës diellore, duke ulur temperaturën globale me 0.7 °C.

Sot, shkencëtarët po mendojnë të rikrijojnë artificialisht këtë efekt. Kjo teknikë ka të bëjë me modifikimin e përkohshëm të aftësisë së atmosferës për të pasqyruar rrezet diellore në hapësirë, duke reduktuar nxehtësinë që arrin në Tokë.

Realizimi i saj kërkon investime kolosale dhe një konsensus të gjerë ndërkombëtar, pasi pasojat do të ndikonin në mbarë planetin. Për optimistët, kjo është zgjidhja ideale për të frenuar rritjen e temperaturave. Për skeptikët, një rrezik i madh gjeopolitik dhe mjedisor.

Teoria u hodh që në vitet 1970 nga klimatologu sovjetik Mikhail Budyko, i cili sugjeroi injektimin e sulfateve në lartësi të mëdha. Diskutimi u bë më serioz in vitin 2006 pas një studimi nga laureati i çmimit Nobel, Paul Crutzen.

Deri më tani, pjesa më e madhe e kërkimeve bazohet në modele matematizore dhe simulime kompjuterike, me financime modeste prej pak dhjetëra milionë eurosh në vit.

Përpjekjet për testime praktike kanë hasur në rezistencë të fortë. Vitin e kaluar, Universiteti i Harvardit planifikoi një projekt eksperimental në veri të Suedisë për të testuar sistemet e lëshimit pa lëndë kimike, por u bllokua nga një peticion i popullatës indigjene Sami.

Ata akuzuan shkencëtarët se nuk i kishin konsultuar dhe shprehën shqetësime për ndikimin mjedisor. Idetë e propozuara përfshijnë përdorimin e balonave atmosferike në lartësi prej 20 mijë metrash ose avionëve specialë që do të shpërndanin vazhdimisht sulfate në stratosferë.

Kostot e operimit vlerësohen midis 5-10 miliardë dollarë në vit. Mbështetësit argumentojnë se kjo mund të kufizonte ngrohjen globale nën pragun kritik prej 1.5 °C, të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit.

Megjithatë, Paneli Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) paralajmëron për pasoja të paparashikueshme. Reduktimi i dritës së diellit mund të ndryshojë regjimet e reshjeve globale, duke dëmtuar rëndë bujqësinë dhe sigurinë ushqimore.

Për më tepër, nëse injektimi i grimcave fillon në shkallë të gjerë, ndërprerja e papritur e tij – e quajtur “shoku i përfundimit” – mund të shkaktonte një rritje jashtëzakonisht të shpejtë të temperaturave, nëse nuk ndalen emetimet e CO2.

Pra gjeoinxhinieria nuk e zgjidh shkakun rrënjësor të krizës: emetimin e gazrave serrë nga aktivitetet njerëzore. Ajo nuk e largon dioksidin e karbonit nga atmosfera, gjë që do të thotë se acidifikimi i oqeaneve do të vazhdonte të përkeqësohej, duke shkatërruar ekosistemet detare.

Kritikët frikësohen gjithashtu se kjo teknologji mund t’u japë vendeve të pasura dhe industrive të naftës një pretekst për të shtyrë tranzicionin ekologjik dhe për të vazhduar djegien e lëndëve fosile.

Nga pikëpamja politike, mungesa e një qeverisjeje globale mund të ndezë konflikte. Për shembull, nëse India vepron në mënyrë të njëanshme dhe ndryshon lëvizjen e monsoneve, kjo mund të shkaktojë kriza në Pakistanin fqinj, duke çuar në përplasje mes dy fuqive bërthamore.

Atmosfera nuk ka kufij dhe substancat e përhapura do të lëviznin lirisht mbi qiellin e shteteve të tjera. Mbi 100 ekspertë kanë nënshkruar një thirrje për moratorium global, pasi aktualisht nuK ekzistojnë organizma ndërkombëtarë të aftë për të menaxhuar këtë teknologji.

Ndërkohë, çmimet e energjisë diellore dhe asaj të erës po bien ndjeshëm, duke ofruar një rrugë të sigurt dhe të provuar. Shumë analistë thonë se përpjekjet duhen përqendruar te burimet e rinovueshme sesa te basti i rrezikshëm i zbehjes së rrezeve të Diellit.