IMG_4789

Moti ka bërë një kthesë të fortë që prej ditës së djeshme, ku reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit. Reshjet e borës kanë mbuluar tashmë disa zona malore të qarqeve Kukës, Dibër, Tropojë dhe Pukë.

Gjatë natës dëbora ka zbritur deri në 700 m mbi nivelin e detit deri në afërsi të qytetit të Peshkopisë dhe Bulqizës. Trashësia në zonat e larta si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës arrin mbi 20 cm, ndërkohë temperaturat kanë zbritur në 1°C në qytet, ndërsa në Lurë -5°C.

Reshjet e dëborës me intensitet në zonën e Steblevës së Librazhdit kanë vijuar gjatë gjithë natës, ku  trashësia e dëborës ka kaluar 10 cm, ndërsa temperaturat janë regjistruar deri në -2°C. Aksi nacional Librazhd–Peshkopi është i kalueshëm vetëm me zinxhirë dhe goma dimërore për shkak të pranisë së ngricave.

Sa i përket qarkut të Tropojës, moti paraqitet i vranët, me reshje shiu me intensitet të ulët dhe dëborë në zonat mbi 700 metra mbi nivelin e detit. Temperaturat janë ulur deri në 3°C.

Situata në Qarkun Kukës paraqitet më e qëndrueshme. Moti me vrenjtësira, reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar dhe erëra, ka shkaktuar rënie inertesh dhe gurësh në disa segmente rrugësh si rezultat i reshjeve.

Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e dëborës pritet të jenë të përkohshme, por temperaturat do të mbeten të ulëta gjatë gjithë fundjavës, duke sinjalizuar një hyrje të hershme të motit të ftohtë në vend.