Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në listën e hapur të qarkut Lezhë, Gjin Gjoni ka publikuar pamje nga terreni. Dje, në orët e vona të mbrëmjes, kandidati për deputet i ka dërguar një mesazh kundërshtarëve politikë të Partisë Socialiste. Në dy postime të njëpasnjëshme në rrjetet e tij sociale, Gjin Gjoni paralajmëron se “grupet për mbrojtjen e votës” kanë dalë sërish në terren. Madje i paralajmëron se do t’i ndjekin socialistët këmba-këmbës.
“Grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje te njërëzve qe dalin natën për qellime te mbrapshta elektorale. Ne jemi kudo. Do tju ndjekim kemba këmbës.#GG#,”-shkruan Gjoni në postim, duke e shoqëruar me pamje nga “aksioni”.
Ndërkohë që në një postim tjetër i bën kërkesë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të nisë hetimet për disa persona, duke i listuar edhe me emra dhe postet që mbajnë në administratën e Lezhës. Sipas ish-gjyqtarit Gjoni, SPAK duket të veprojë kundër tyre për të shmangur përplasjet dhe tensionet që mund të lindin gjatë rrugës.
EMRAT E PËRMENDUR NGA GJIN GJONI:
• Denis Pervathi – Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Lezhë po vepron në Kolsh • Eraldo Smaçi – Drejtor i IVMT në Bashkinë Lezhë po vepron në Zejmen • Paulin Gjergji – Drejtor i Emergjencave në Bashkinë Lezhë po vepron në Balldre • Rigels Nicaj – Zyrtar i Partisë Socialiste po vepron në Ishull-Lezhë • Fred Pervathi – Shofer ambulance po vepron në Manati • Agim Prendi – Zyrtar i PS po vepron në Zejmen • Emirjan Lazri – Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor po vepron në Dajç.
Sot, nënkryetari i Bashkisë së Lezhës ka denoncuar publikisht edhe kandidatin e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni. Sipas Ermal Pacajt, gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme, përfshirë disa drejtues shtabesh, duke i akuzuar ata për blerje votash.
“Sapo dolëm nga Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë, kemi depozituar një kallëzim penal për Gjin Gjonin, i cili prej javësh në rrjetet e tij sociale ka akuzuar drejtuesit e shtabeve të PS si kriminelë elektorale, si njerëz që duhet të jenë në burg, apo si njerëz që duhet të përndiqen nga Policia e Shtetit. Do i drejtohemi edhe zyrës së vëzhguesëve të OSBE-së. Fakti që ata duan një alibi për humbjen, nuk e justifikon faktin që një qytetar të këtij vendi ta quajë kriminel një njeri që punon për Partinë Socialiste,”-shtoi Pacaj.
Për socialistin, përmes këtyre deklaratave dhe veprimeve, kandidati i PD (në listën e hapur) po përpiqet të intimidojë qytetarët dhe të përhapë një frymë tensioni në komunitetin e Lezhës. Për të gjitha këto ngjarje, Pacaj deklaroi se PS do t’i drejtohet edhe zyrës së vëzhguesve të OSBE-së por edhe Drejtorisë së Policisë së Lezhës./gazetajone



