Në vendimin e arsyetuar prej 144 faqesh të Gjykatës së Posaçme të Apelit, gjyqtari Engert Pellumbi, i cili vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, thekson se veprat penale për të cilat ai dyshohet janë të rënda dhe parashikojnë dënime që variojnë nga 5 deri në 15 vite burg.
Ky moment i evidentuar në vendimin e gjyqtarit rëndon më tej pozitën ligjore të Veliajt. Sipas Pellumbit, ekziston një rrezik real që i hetuari, për shkak të funksionit të lartë, lidhjeve të shumta dhe fuqisë vendimmarrëse, të ndikojë negativisht në procesin hetimor – përfshirë pengimin e provave, frikësimin e dëshmitarëve apo ndërhyrjen në hetime.
Por gjyqtari shkon edhe më tej, duke analizuar në detaje një tjetër aspekt alarmues: bashkëpunimin e Veliajt me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe biznesmenin Elman Abule. Në këtë kuadër, Pellumbi ngre dyshime serioze për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.
“Gjykata vëren se bashkëpunimi i personave nën hetim – Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe Elman Abule – ka tiparet e një bashkëpunimi të posaçëm, atij të grupit të strukturuar kriminal, duke qenë se përmbushen kriteret e pluralitetit të personave, qëllimit për përfitim material nëpërmjet pastrimit të produkteve të korrupsionit, dhe organizimit jo të rastësishëm të veprimtarisë kriminale”, thuhet në vendim.
Megjithëse kjo formë e bashkëpunimit nuk u është formalizuar ende si akuzë nga SPAK, gjyqtari nënvizon se ky element mund të orientojë hetimin drejt një akuze më të rëndë në të ardhmen. Ai thekson se aspekti i grupit të strukturuar kriminal nuk është marrë në konsideratë për masën e sigurisë aktuale, por mbetet një pistë që duhet hetuar më tej nga prokuroria.
Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe gjashtë biznesmenë të tjerë po përballen aktualisht me akuza për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa deklarimet e gjyqtarit Pellumbi hedhin dritë mbi dimensionin e mundshëm kriminal të çështjes – një fakt që, nëse provohet, rrezikon t’i çojë përballë një dënimi të rëndë prej disa vitesh burgim. /gazetajone



