Xhuana Nikollaj ishte vetëm 25 vjeç. Kishte lënë pas një martesë të dështuar dhe po përpiqej të ndërtonte një jetë të re, pa dhunë dhe e lirë.
Vendosi të trasferohet nga Shëngjini në Tiranë dhe, në pamundësi ekonomike për të jetuar vetëm, bashkohet me mikeshat e saj. Kishte përfunduar studimet e larta dhe priste që të nesërmen të gjente një punë dinjitoze dhe një jetë të qetë.
Sot, Xhuana nuk jeton më. Ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi, e dhunoi në banesën e marrë me qira, duke e goditur në trup dhe kokë. Në gjendje dëshpërimi dhe në pamundësi për të dalë nga rrethi vicioz ku ishte futur pa dëshirën e saj, ajo zgjodhi rrugën më dramatike: t’i japë fund jetës me fostoksinë.
Xhuana u gjet në gjendje kritike nga shoqja e saj, e cila e dërgoi me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Por ishte shumë vonë. Mjekët bënë çdo përpjekje, por nuk e ndihmuan dot Xhuanën. Ajo mbylli sytë përgjithmonë. Në letrën që la pas, kërkonte falje prindërve dhe shprehej se nuk donte të lëndohej më nga njerëz që i kishin bërë keq. Ekspertët e mjekësisë ligjore konfirmuan më pas shenjat e dhunës. Ish-bashkëshorti është në arrati për akuzat e “dhunës në familje” dhe “shkaktimit të vetëvrasjes”.
Por rasti i Xhuanës nuk është i vetmi. Statistikisht, dhuna në familje është në shifra alarmante, dhe shumë vajza e gra kanë ndërmarrë aktin ekstrem të vetëvrasjes për t’i shpëtuar grushteve të partnerëve ose bashkëshortëve.
Bedrie Loka
Bedrie Loka ishte nëna e tre fëmijëve, një vajze dhe dy djemve. Më i vogli ishte dëshmitar i dhunës që babai, Xhemal Loka, ushtronte ndaj nënës së tij dhe madje e kishte filmuar me celular, një dëshmi tronditëse që mjaftoi për ta dënuar Xhemal Lokën. Bedrie Loka i dha fund jetës në banesën e tyre në fshatin Vadardhë, Durrës, më 2 janar 2024.
Fillimisht u tha se akti ekstrem ishte pasojë e bullizmit në rrjetet sociale, por hetimet zbuluan se bashkëshorti i saj, një ish-emigrant i skeduar për çështje droge, e dhunonte sistematikisht. Fëmijët rrëfyen para policisë se babai i dhunonte nënën në mënyrë të përsëritur.
“Babi e kishte dhunuar mamin me grushta, e kishte shtrirë përtokë, ishin zënë me njëri-tjetrin dhe mami ishte nxirë komplet nga krahët dhe në pjesë të trupit,” rrëfeu djali i mitur i çiftit. Vajza e madhe tregoi bisedën e fundit me nënën: “Atë natë nuk isha e qetë, ajo më tha: ‘Do e qep mami, do e qep’ dhe fiku telefonin. Kur shkova te spitali më tha me shpresë se do të shpëtonte, ‘boll durova më’.” Xhemal Loka është dënuar me 10 vite burg.
Sibela Abedini
E bullizuar në rrjetet sociale, e mbetur pa punë dhe me një fëmijë të vogël për tu kujdesur, Sibela Abedini zgjodhi t’i japë fund jetës duke u hedhur nga lartësia e një pallati në Kamzë. Për akuzën “shkaktim vetëvrasjeje” po gjykohet Altin Coku, i cili nuk e dhunoi fizikisht, por psikologjikisht, pasi presioni i shkaktuar nga publikimi i fotove intime e shtyu 27-vjeçaren të merrte këtë vendim.
Alma Arrazi
Historia e saj është ndoshta nga më tronditëset. Nga dhuna psikologjike, Alma zgjodhi të hidhej në lumin Buna bashkë me tre fëmijët e saj. Katër viktima brenda një familjeje. Tragjedia ndodhi më 3 maj 2024 dhe shokoi Shkodrën dhe opinionin publik. Erdgys Arrazi, bashkëshorti i Almës dhe babai i tre fëmijëve, është dënuar me 4 vite burg për shkaktim vetëvrasjeje.
Rastet janë të shumta, dramat njerëzore janë tronditëse. Humbjet janë të jashtëzakonshme. Vajza e gra që nuk shohin dritë në fund të tunelit për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike dorëzohen duke i dhënë fund jetës. Historitë e këtyre vajzave dhe grave thërrasin për ndërgjegjesim: nëse shoqëria nuk reagon sot, nesër mund të jetë vonë.



