wmremove-transformed-7

Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK, është arratisur nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit këtë të martë.

Drejtoria e Burgjeve njofton përmes një deklarate për mediat se Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.

“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, bën me dije policia.

Altin Ndoci u arrestua në vitin 2020 i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, po në Durrës.