durres yachts marina

Në letër është projekti më i madh turistik i Ballkanit. Por në realitet, Porti Turistik i Durrësit – Durrës Yachts & Marina po kthehet gjithnjë e më shumë në një pasqyrë që reflekton iluzione. Dyshimet janë të forta se shumë qytetarë shqiptarë po mashtrohen, duke boshatisur xhepat për një ëndërr që vështirë të bëhet realitet: apartamenti luksoz buzë detit.

Në kantierin që u inaugurua me shumë zhurmë nga Edi Rama dhe biznesmeni arab Mohamed Alabbar në shtator 2023, sot dëgjohen rrallë makineri që punojnë, sa për të mos iu ndryshkur motori. Punimet, që sipas planeve duhej të ishin në fazën e dytë të ndërtimit, po ecin me ritmin e një treni me avull në një malore të fortë.

Kantier i ngadalshëm dhe mungesë lejesh të reja

Në terren, vetëm një ndërtesë (A01) ka themelet e para, ndërsa pjesa tjetër e projektit mbetet ende në letër. Reklamat për apartamente në bregdet vazhdojnë pandërprerë, por realiteti në kantier është ndryshe: pak punëtorë, aktivitet ndërtimor minimal dhe zona pjesërisht e boshatisur.
Burime nga Bashkia Durrës konfirmojnë për Zoom.al se nuk ka pasur aplikime të reja për leje ndërtimi pas tremujorit të parë të vitit 2024.

Edhe tenderat për portin tregtar të ri në Porto Romano, që do të mundësonin zhvendosjen e portit aktual për t’i hapur rrugë marinës luksoze, kanë dështuar disa herë për mungesë ofertuesish. Pa këtë zhvendosje, ndërtimi i marinës është praktikisht i pamundur, pasi trafiku tregtar vazhdon të bllokojë zonat e manovrës detare.

Paratë e shqiptarëve, motori i projektit

Ndërkohë, kompania Eagle Hills e Mohamed Alabbar ka arkëtuar miliona euro nga qytetarët shqiptarë. Sipas dokumenteve financiare të “Durrës Marina sh.p.k.”, gjatë vitit 2024 janë mbledhur rreth 42 milionë euro nga parapagimet e blerësve, ndërsa janë shpenzuar 35 milionë euro, sipas raportit financiar të vitit 2025.
Kjo diferencë tregon se punimet po kryhen me paratë e blerësve shqiptarë, pa investime të drejtpërdrejta nga kompania, duke ngritur dyshime mbi destinacionin real të fondeve.

Rreziku për qytetarët që kanë paguar paraprakisht

Ekspertë juridikë të kontaktuar nga Zoom.al paralajmërojnë se qytetarët që kanë parapaguar për apartamente ndodhen përballë një rreziku serioz financiar. Në mungesë të garancive bankare, të detyrueshme në projektet “pre-sale”, ata mund të humbasin kursimet e tyre nëse projekti pezullohet ose kompania largohet nga Shqipëria.
Sipas juristëve, kontratat e parapagimit nuk përmbajnë klauzola mbrojtëse për konsumatorin, por detyrime të njëanshme që favorizojnë investitorin. Në rast dështimi, e vetmja rrugë ligjore do të ishte një padi civile që mund të zgjasë me vite.

Sipas kontratës me qeverinë shqiptare, Eagle Hills duhej të siguronte vetëm 180 milionë euro nga investimi total prej mbi 2 miliardë eurosh, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohej nga blerësit e apartamenteve. Deri tani, nga këto shitje janë siguruar vetëm 2.1 % e fondit total, duke ngritur pyetje të mëdha mbi aftësinë reale financiare të grupit.

Dyshime për pastrim parash

Ekspertë të pastrimit të parave, që kanë ndjekur projektin që prej nënshkrimit të kontratës, theksojnë se marrëveshja koncesionare e “Durrës Yachts Marina” është terren ideal për injektimin e kapitaleve me origjinë të dyshimtë.
Në kontratë mungojnë mekanizmat për verifikimin e origjinës së fondeve, një standard i detyrueshëm sipas praktikave të Bashkimit Europian.

Një ish-zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës i tha Zoom.al se përmes “joint ventures” shteti nuk ka asnjë sy financiar brenda, çka e bën të pamundur ndjekjen e rrjedhës së parave.
Burime të tjera flasin për emra të njohur të krimit të organizuar shqiptar, që sot jetojnë në Dubai, të cilët dyshohet se kanë investuar në mënyrë indirekte në nënkontrata ndërtimi të këtij projekti.

Nëse këto dyshime verifikohen, dosja e “Durrës Yachts Marina” mund të përfundojë në SPAK, me akuza që përfshijnë pastrimin e parave, mashtrimin ekonomik dhe shpërdorimin e pasurisë publike.

Eagle Hills ka marrë 800 mijë metra katrorë tokë shtetërore për pallate, hotele dhe port jahtesh, për të cilin në kontratë nuk ekziston asnjë garanci se do të ndërtohet.
Mes premtimeve, reklamave dhe realitetit në terren, projekti që u promovua si “dritarja e re e Mesdheut” po kthehet në një dosje të errët financiare, që pritet të tërheqë vëmendjen e drejtësisë shqiptare. /gazetajone