Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste është shoqëruar me debate dhe përplasje të forta, pasi kryeministri Edi Rama kërkoi përjashtimin e Elisa Spiropalit nga strukturat drejtuese të partisë.
Kërkesa e Ramës ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Spiropalit, e cila ka kundërshtuar hapur propozimin, duke e cilësuar atë si pjesë të një përplasjeje të brendshme politike.
“Kjo është luftë e brendshme, e di nga kush e kam. Ndaj meje nuk ka as akuza dhe as hetime. Nuk ka asnjë arsye që unë të përjashtohem”, mësohet të jetë shprehur Spiropali përpara drejtuesve socialistë.
Por kundërshtimi i propozimit të Ramës nuk ka ardhur vetëm nga Spiropali. Tre figura të njohura të Partisë Socialiste, Pandeli Majko, Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj, kanë ndërhyrë gjatë diskutimeve duke dalë në mbrojtje të saj.
Ata kanë kundërshtuar përjashtimin e Spiropalit, duke kërkuar që të mos merret një vendim i tillë ndaj saj.
Përplasja ka krijuar një situatë të tensionuar në Asamble, ku qëndrimi i kryeministrit ka hasur kundërshtime nga disa prej figurave me përvojë të gjatë në Partinë Socialiste.
Megjithatë, pavarësisht kërkesës fillestare, Rama nuk e ka hedhur në votim propozimin për përjashtimin e Spiropalit.
Në këtë mënyrë, çështja është mbyllur pa një vendimmarrje formale, ndërsa Spiropali vazhdon të jetë anëtare e Partisë Socialiste.
Ndërkohë, një tjetër zhvillim gjatë Asamblesë ka qenë përjashtimi nga ky forum i Plarent Ndrecës, avokatit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Nga mbledhja mësohet gjithashtu se Belinda Balluku nuk ka marrë fjalën në asnjë moment të diskutimeve, pavarësisht tensioneve dhe debateve që kanë shoqëruar punimet e Asamblesë.
Në përfundim, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka konfirmuar se Elisa Spiropali vazhdon të jetë anëtare e PS-së.
Megjithatë, Klosi ka shmangur përgjigjen për arsyet pse kërkesa e Ramës për përjashtimin e saj nuk u hodh në votim.
Debati për Spiropalin ka nxjerrë në pah përplasjet brenda drejtimit socialist, ndërsa mbetet e paqartë se si do të vijojë pozicionimi i saj në strukturat e partisë pas kësaj mbledhjeje.



