-900-0-1758100422xmakina-elektrike-588

ERE, nën ndikimin e oligarkëve të karburanteve? Rritja e çmimit të energjisë për makinat elektrike ngre dyshime për interesa të fshehta

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka vendosur këtë javë të rrisë me 80 për qind çmimin e energjisë elektrike për karikimin e automjeteve elektrike, duke ndezur debat për pasojat e kësaj mase në një treg që sapo ka filluar të marrë formë në Shqipëri.

Vendimi, që kaloi pa debat publik apo transparencë, shihet si një goditje ndaj politikave të gjelbra dhe nxitjes së transportit elektrik, ndërkohë që vendet e rajonit po zbatojnë skema lehtësuese për ta përhapur përdorimin e këtyre mjeteve.

Sipas ekspertëve, rritja e çmimit për karikim është një hap dekurajues, që bie ndesh me strategjitë për reduktimin e ndotjes dhe përmbushjen e objektivave të tranzicionit energjetik. Ajo shihet gjithashtu si një favor i heshtur për tregtarët e karburanteve, të cilët do të vijojnë të mbajnë një pjesë të madhe të tregut të transportit.

“Ky është një vendim që na rikthen në logjikën e varësisë nga karburantet fosile,” – komentojnë analistët, duke e krahasuar situatën me betejën historike mes Rokfelerit dhe shpikësve të energjisë elektrike Edison dhe Tesla, kur interesat e naftës penguan përhapjen e energjisë elektrike për të mbajtur njerëzimin të varur nga vajguri.

Në vend që të aplikojë stimuj fiskalë, tarifa të reduktuara apo investime në rrjetin e karikimit publik, institucionet shqiptare po vendosin barriera që dëmtojnë inovacionin dhe përfitimet mjedisore.
Ndërkohë, ironikisht, lajmi më i lexuar i javës ishte fjalimi i një deputeteje në parlament, ndërsa një zhvillim me ndikim real në ekonominë e gjelbër kaloi thuajse pa u vënë re./gazetajone