Luani Erion dhe arusha Flora, bënë xhiron e rrjetit në dhjetor të vitit të kaluar pasi u shpëtuan falë organizatës ndërkombëtare “FourPaws” nga “burgu” në të cilin po mbaheshin në veri të Shqipërisë.
Tashmë Erioni ka nisur një jetë të re në Gjermani, pasi bashkë me Florën u transportuan përmes një udhëtimi i cili zgjati katër ditë, ata përshkuan 2 mijë kilometra duke kaluar kufijtë e 7 vendeve, nën shoqërimin e veterinerëve dhe akivistëve të specializuar.
Përmes një postimi në rrjetin social “Instagram” organizata ka bërë përditësimin e gjendjes së luanit Erion, përmes disa fotove të shpërndara.

Tashmë Erioni nuk është më ai luani i dobët dhe pa krifë, por përkundrazi ai është duke u rritur ngadalë.
Sot, ai është një luan krejtësisht ndryshe, ku ka fituar peshë dhe muskuj të shëndetshëm, dhe po ashtu krifa e tij po rritet për ditë nga pak.
“Ai është i sigurt, kurioz dhe më në fund po përjeton se si duhet të ndihet jeta për një luan” ka shkruar organizata.
Kujtojmë se Luani Erion, 3 vjeç, dhe arusha Flora, 2 vjeçe, u shpëtuan nga organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve Four Paws, e cila lokalizoi luanin përmes videove të publikuara në TikTok nga dikush që pretendonte të ishte pronari i tij.
Origjina e tyre mbetet e paqartë, luani Erion dyshohet se është viktimë e trafikut ilegal, ndërsa arusha Flora mendohet se është gjuajtur në natyrë.



