demiri

Posta Shqiptare po përballet me një situatë financiare të rëndë, e cila ka marrë përmasa shqetësuese pas vitit 2022, kur në krye të institucionit u emërua Ardit Demiri.

Sipas dokumenteve të konsultuara nga Gazeta Jonë, të dhënat zyrtare të dorëzuara me një vit vonesë në Tatime tregojnë se viti 2023 është mbyllur me humbjen më të madhe në historinë e kompanisë, plot 167 milionë lekë, ndërkohë që vetëm një vit më parë, rezultati financiar kishte qenë pozitiv me rreth 10 milionë lekë fitim.

Në dokumentin e nënshkruar nga drejtori Demiri theksohet:
“Shoqëria rezulton me humbje 167,157,714 lekë. Edhe pas zbritjes së shpenzimeve të panjohura prej 80,404,982 lekë, bilanci mbetet negativ me -86,852,732 lekë tatim të tatueshëm.”

Tenderi për makina me qira

Në këtë klimë humbjesh, Posta Shqiptare ka shpallur një tjetër procedurë të madhe prokurimi. Më 1 shtator 2025, në Agjencinë e Prokurimit Publik është regjistruar tenderi me objekt “Marrje automjetesh me qira operacionale për 4 vite”, me një fond limit prej 96 milionë lekësh (afro 1 milion euro pa TVSH).

Tenderi ndahet në dy lote:

  • Loti 1: Marrje furgonçinash me qira, me fond limit 79 milionë lekë.

  • Loti 2: Marrje automjetesh SUV me qira, me fond limit 16.9 milionë lekë.

Ky prokurim është parashikuar të zgjasë katër vite, duke tejkaluar madje edhe mandatin aktual të qeverisë. Ndërkohë, kontrata e Demirit në krye të Postës përfundon në dhjetor 2025, por drejtori duket i vendosur që ta finalizojë tenderin përpara dorëzimit të detyrës. Hapja e ofertave është caktuar më 26 shtator.

Dokumentet e vitit 2024 tregojnë se Posta kishte realizuar tashmë një tjetër prokurim me objekt “Blerje automjetesh”, me një fond limit prej 279 milionë lekësh. Po ashtu, në vitin 2021, përmes projektit “Shko Gjelbër”, u blenë 11 furgonë elektrikë dhe u ngritën stacione karikimi për to.

Gjithashtu, në gusht 2024 u shpall një tjetër tender për 55 motoçikleta elektrike me tre rrota, me një fond limit prej 25.8 milionë lekësh pa TVSH. Me përfshirjen e TVSH-së, kontrata arrinte në rreth 312 milionë lekë.

Pra, Posta Shqiptare ka investuar disa herë në flotën e mjeteve, duke ngritur pikëpyetje mbi nevojën reale të një tenderi të ri kaq të kushtueshëm.

Raportet e KLSH që prej vitit 2020 kanë paralajmëruar që kompania nuk duhet të ndërmarrë tenderë përtej kapaciteteve financiare. Megjithatë, drejtori Demiri ka vijuar me kontrata të mëdha, duke çuar Postën Shqiptare drejt humbjeve rekord dhe duke përgatitur një tjetër prokurim me vlerë gati 1 milion euro, vetëm pak muaj para përfundimit të mandatit të tij. /gazetajone