Lutfi-Dervishi-1536x970

Nga Lutfi Dervishi

Është një vend ku protestat qytetare për çështjet jetike janë po aq të rralla sa trenat e pasagjerëve dhe kërkesa e llogarisë po aq e rrallë sa edhe dorëheqja e një ministri.

Në këtë vend të bekuar nga Zoti dhe të mallkuar nga gjallesa me dy këmbë, njerëzit kanë gjetur një mënyrë të re për të shprehur ndjenjat, mendimet dhe revolten e tyre: komentet në Facebook.



Dhe si për të provuar që demokracia virtuale është më e rëndësishme se ajo reale, 1,100 vetë i janë përgjigjur plot përgjegjshmëri, pathos e pasion pyetjes: si ta quajmë gomarin?

Në vend që të kërkojnë ujë dhe ajër të pastër, siguri ushqimore, shkolla ku arsimohesh dhe spitale ku shërohesh, njerëzit në këtë vend kanë filluar të debatojnë për emrin e një gomari si të ishte çështja kombëtare numër 1!

Një emër që të përfaqësojë denjësisht kombin, identitetin, historinë, dhe shpirtin e një populli që di të ngrejë zërin kur vjen puna për diçka të rëndësishme, si… emri i një gomari.

Dhe bëhet fjalë për një popull që nuk ka lënë udhëheqës vendas dhe të huaj pa i kënduar këngë.

Në këtë vend, ku çdo gjë e ka një emër, një gomar pa emër është emergjencë kombëtare.

Dhe ndoshta ky është edhe problemi i vërtetë i njerëzve të këtij vendi: jo që nuk janë mësuar të kërkojnë të drejtat e tyre, por janë aq të zënë duke kërkuar emra për gomarë, sa nuk mbetet kohë për asgjë tjetër.

Meqë nuk bien dakord për emrin e gomarit, njerëzit nisin Lufta e Tretë Botërore në Facebook dhe… kështu
këtij vendi që nuk i punon asnjë tren i ikin rregullisht trenat e historisë.

Cili është ky vend?

P.S. Po të fliste gomari do të thoshte: mjaft me gomarllëqe!